Kosova, potencial për tërheqjen e investimeve saudite

PRISHTINË, 30 prill/ATSH/.- Qeveria e Kosovës synon hapjen ekonomike të vendit ndaj botës, duke pasur një stabilitet politik, makroekonomik dhe stabilitet fiskal dhe se indikatori më i mirë i për këtë është matja e fundit nga Banka Botërore, ku Kosova ka një rritje prej 4.5 për qind.

Kështu deklaroi sot zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj  në Forumin e Biznesit 2018, Kosovë-Arabi Saudite, organizuar nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Klubin e Prodhuesve të Kosovës dhe Odën Ekonomike të Kosovës.

Pjesëmarrës në këtë forum ishin përfaqësues të odave ekonomike të Arabisë Saudite dhe një numër i konsiderueshëm biznesmenësh, të cilët shqyrtuan mundësinë e sjelljes së investimeve të huaja në Kosovë dhe krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm të të bërit biznes në vendin tonë, si dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik me Arabinë Saudite.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj falënderoi përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Arabisë për vizitën dhe theksoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale mes të dy vendeve, ku Arabia Saudite është një ndër vendet e para që kanë njohur pavarësinë dhe kanë përkrahës shtetësinë e Kosovës.

Khalid Abdulrahman AL Othman, kryetar i Saudi Mubadara Developmen co., tha se vendi i tij është i interesuar të bashkëpunojë me vendet e rajonit dhe se Ballkanin Perëndimor e shikon si një investim të rëndësishëm strategjik.

Ndërsa, Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, theksoi se “Kosova ka potencial të madh për zhvillim ekonomik”.

“Produktet e Kosovës kanë potencial dhe eksportohen edhe në vendet e Europës me cilësi shumë të lartë. Kosova mund të shërbejë edhe si bazë për të eksportuar, pasi ka marrëveshje të shumta me BE-në që mundësojnë edhe qasje në tregun europian. Duke mos e lënë anash edhe potencialin në teknologji dhe bukuritë natyrore që e bëjnë vend shumë atraktiv për investime në turizëm”, u shpreh ai.

Përfaqësuesi i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, shprehu interesimin e bashkëpunimit me biznesmenët arabë, si partner strategjikë dhe shumë të fuqishëm.

Ai tha se Kosova është e hapur ndaj partneritetit, duke theksuar kulturën dhe ekonominë e zhvillimit të hapur për të ndërtuar partneritete afatgjata.

Ministri Bedri Hamza ka përkujtuar se Kosova renditet si vendi i 40-të për të bërit biznes, pasi qeveria e Kosovës ka ndërtuar një politikë fiskale, e cila është në përkrahje të sektorit privat dhe e favorshme për krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm ekonomik.

Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se në Kosovë janë rreth 300 milionë euro investime të huaja brenda vitit, të cilat kryesisht vijnë nga Gjermania, Zvicra dhe Turqia.

Ai tha se Ligji për Investime të Huaja dhe Ligji për Investime Strategjike janë dy ligje që sigurojnë potencial për investime ekonomike dhe marrëveshje ndërshtetërore për mbrojtje të investimeve.

Në kuadër të forumit, u mbajt edhe takimi B2B me biznesmenë të ndryshëm të ardhur nga Arabia Saudite dhe biznesmenë kosovarë, për të krijuar mundësinë për bashkëpunime të mundshme dhe krijimin e mundësive për investime në vendin tonë./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.