Kantiere të reja ndërtimi në Tiranë, zonat ku do të nisin punimet

TIRANË, 30 prill/ATSH/- Tirana po transformohet për mënyrën se si qytetarët kanë filluar të konceptojnë hapësirën publike, ndryshe nga çfarë ndodhte 3 vite më parë, ku mungonte respekti për këtë të fundit.

Në prag të ditës së punëtorëve, pra të 1 Majit, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zgjodhi një mënyrë krejt të veçantë gjatë analizës vjetore të punëve të qytetit, nga ku shprehu mirënjohjen dhe vlerësimet për punonjësit e ndërmarrjes së pastrimit dhe gjelbërimit në të tre drejtoritë publike.

Sipas Veliaj, nëse ka një mision që është kryer me sukses në bashkinë e Tiranës, është pikërisht ai i pastrimit dhe gjelbërimit. Sipas tij, për herë të parë ndërmarrjet publike kanë kaluar pritshmëritë dhe punën e privatit, duke ndryshuar në mënyrë cilësore ndryshimet në komunitet. Por, sipas kryetarit të bashkisë vetëm 1% e qytetarëve zgjedhin të ndotin ambientin.

“Ka ardhur koha ta ndryshojmë pak situatën. Dikush që bën pis do të duhet të mbajë edhe përgjegjësinë e turpit të vet. Ne nuk mund të lejojmë që 1% e qytetit tonë të ndotin qytetin. Ata që do të ndotin ambientin do të gjobiten.

Duke sjellë në vëmendje fushatën e mbjelljeve të pemëve, Veliaj tha se kjo nismë ka rezultuar e suksesshme, ndërsa bëri publike nismën e ardhshme.

“Hapja e palestrave shkollore do të jetë dhe fushata tjetër e bashkisë së Tiranës. Që në aktivitetin tonë të parë prindërit i janë përgjigjur pozitivisht kësaj nisme, duke angazhuar fëmijët e tyre në aktivitete fizike. Kjo është një mënyrë për të luftuar obezitetin dhe për të ndërtuar qytetarë aktivë. Hapja e dyerve të palestrave do të jetë një mundësi për brezin e ri, për të nderuar karakterin e tyre duke pranuar edhe fitoren edhe humbjen në lojë”, – u shpreh Veliaj.

“Tirana, kartolina jonë europiane”

Kryetari Veliaj e ka cilësuar kryeqytetin shqiptar si kartolinën europiane të vendit tonë. Ai tha se ndonëse, shumë të huaj dhe vendas zgjedhin të kalojnë pushimet apo kohë edhe në qytete të ndryshme të vendit, Tirana mbetet një nga qytetet më pranë atyre europiane, qoftë kjo sipas tij edhe për pastërtinë, gjelbërimin, sistemimin dhe mundësitë e ofruara.

“Për ne, Tirana është si kartolina dhe Tirana është kartolina jonë europiane”, – tha Veliaj duke theksuar edhe faktin që 90% e Tiranës e ka pranuar këtë lloj civilizimi (duke mos ndotur mjedisin) edhe 10% do ta pranojë që ne të dukemi si kartolina europiane e Shqiqërisë që aspiron të futet në BE. Sipas tij, Tirana është një nga qytetet më të pastra në Europën Juglindore ndërsa ka theksuar se kur shqiptarët e ndajnë mendjen për të punuar, bëjnë mrekullira.

Së shpejti nisin investime të tjera

Kryetari i bashkisë së Tiranës tha se së shpejti nis edhe një sezon i ri punimesh në Tiranë. Janë investime të infrastrukturë që do të shtrihen në zonat më problematike deri më tani. Ai përmendi investimet nga zona e Fabrikës së Miellit e deri në Kombinat, investimet në Astir, në Kashar, në Yrshek etj. Ai tha se punimet do të shtrihen gjatë periudhës së verës, kur Tirana boshatiset për t’u përgatitur për sezonin tjetër. Sakaq, ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për kantieret e punimeve që do të hapen së shpejti.

Tirana sot, 85% e ndriçuar

Veliaj tha se para 3 vitesh Tirana në lidhje me ndriçimin ka qenë në nivele “skandaloze” sikurse ai vetë e ka cilësuar, ndërsa sot sipas tij, kryeqyteti është në ndriçim total. Nga 76% nga viti i kaluar, sot 85% e Tiranës është e ndriçuar. “Ne duam që Tirana të jetë një qytet i sigurt për të gjithë. Ambicia jonë është që Tirana të jetë e ndriçuar totalisht”, – tha Veliaj.

Në fund të takimit u shpërndanë certifikata mirënjohjeje për disa punonjës të DPN1, DPN2 dhe DPN3. /z.tosku /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.