Interesim i madh i kompanive të huaja për potencialet e Kosovës dhe Shqipërisë

224

PRISHTINË, 30 prill/ATSH/.- Konferenca Ndërkombëtare “Sektori Minerar dhe resurset minerale Kosovë-Shqipëri”, fryt i një pune të përbashkët midis Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore në Shqipëri dhe Komisionit të Pavarur për Minierat dhe Mineralet në Kosovë do të zvillohet më 16-17 maj në Prishtinë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka, shkruan në Facebook se kanë mbetur edhe 17 ditë deri te mbajtja e kësaj konference, ndërkohë që shumë kompani nga mbarë bota kanë shprehur interesim për të kuptuar më mirë potencialet që ofrojnë vendet tona.

Konferenca ka për qëllim prezantimin aktual të industrisë minerare të dy vendeve, si: hulumtimi, shfrytëzimi, përpunimi i resurseve minerale në Kosovë dhe Shqipëri.
Pjesë e diskutimit do të jenë legjislacioni, politikat minerare dhe mundësitë për zhvillim në të ardhmen.

Në këtë pikë u krijohet mundësi pjesëmarrësve të paraqesin idetë përmes prezantimeve, ndërmarrjeve minerare vendore e të huaja dhe institucioneve të tjera.

Po ashtu, përmes prezantimeve mund të shfaqen vlerësime apo ide për rrjedhat aktuale minerare në nivel global, rajonal dhe lokal, me theks të veçantë investimet në sektorin minerar të Kosovës dhe Shqipërisë./KosovaPress/k.s/.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.