ABU-DABI – Shinzo Abe fillon një turne në Lindjen e Mesme

ABU DHABI, 30 prill /ATSH-AFP/ – Japonia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, lidhur nga një marrëdhënie strategjike ranë dakord për të riforcuar bashkëpunimin e tyre ekonomik, politik dhe ushtarak, në kuadër të një vizite 24-orëshe të kryeministrit japonez, Shinzo Abe në Abu-Dabi.

Tokio dhe Abu-Dabi përfituan nga kjo vizitë për të nënshkruar në marrëveshje që parashikon promovimin dhe mbrojtjen e investimeve në dy vendet.

Në një deklaratë të përbashkët, Japonia dhe Emiratet nënvizuan vullnetin për të zhvilluar më shumë tregtinë, investimet dhe bashkëpunimin në fushat e energjisë së rinovueshme, të inteligjencës artificiale, shëndetësisë dhe pajisjeve mjekësore.

Ata ritheksuan angazhimin e tyre për të diversifikuar projektet e kompanive të tyre në sektorin joenergjetik.

Më herët, Abe përshëndeti marrëdhënien strategjike me Emiratet, etapa e parë e turneut në Lindjen e Mesme.

“Gjatë pesë viteve të fundit, që prej vizitës së fundit në Abu-Dabi, marrëdhëniet tona dypalëshe kanë bërë progrese spektakolare drejt një marrëdhënieje strategjike”, – deklaroi Abe gjatë një forumi biznesi Emirate-Japoni.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë partneri kryesor tregtar i Japonisë në Lindjen e Mesme duke përfaqësuar rreth një të tretën e tregtisë së Tokios në rajon./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.