Turistët e huaj nisin pushimet në plazhet shqiptare

749

TIRANË, 29 prill/ATSH/- Qindra të huaj kanë nisur të vizitojnë bregdetin shqiptar, ende pa u çelur zyrtarisht sezoni turistik, ndërsa koha e shkëlqyer i ofron të shijojnë pushimet e tyre.

Plazhi i Shkëmbit të Kavajës që vijon me Golemin më në Jug, mbetet ndër të frekuentuarit nga turistët elitarë, që i vizitojnë çdo sezon veror, ndërsa biznese të shumta gjatë vijës bregdetare tanimë kanë bërë përgatitjet e fundit për të pritur një sezon që pritet të sjellë mijëra turistë në këtë pikë bregdetare.

Për shkak të temperaturave të larta, tashmë ky plazh po vizitohet jo vetëm gjatë fundjavave, por edhe gjatë ditëve të javës.

Por cilat janë arsyet pse shumë turistë të huaj dhe emigrantë shqiptarë zgjedhin t’i kalojnë në Shqipëri?

Një turiste angleze u shpreh për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se vjen shpeshherë në Shqipëri ndërsa viziton kryesisht plazhet në jug të vendit.

“Unë jam angleze dhe vij çdo vit në Shqipëri dhe gjithashtu në bregdetin e jugut në Piqeras, pranë Sarandës. Jam martuar me një shqiptar dhe vij shpeshherë. Më pëlqen shumë turizmi që bëhet këtu, plazhet janë të bukur plot me kafe-bare dhe restorante, kështu që njerëzit kanë shumë gjëra për të bërë. Unë mendoj se plazhet në jug, ku ne shkojmë gjatë verës unë i dua shumë, të gjitha qytezat si Piqerasi, Lukova”, – u shpreh ajo.

Mirjeta Lleshi, emigrante shqiptare prej 28 vitesh në Gjermani ka thënë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se vjen rregullisht në Shqipëri për të kaluar pushimet, ndërsa këtë vit plazhi dhe ambienti përreth i duket më i pastër se vitet e kaluara.

“Sot erdha, dita e parë këtu. Shumë mirë, shumë bukur. Ky vend më pëlqen. Është vendi më i bukur për të ardhur me pushime. Me pëlqeu vendi, shumë pastër, shumë rregull”.

E pyetur nga ATSH-ja se për sa ditë do të pushojë në Shqipëri, ajo u shpreh se për momentin ka ardhur vetëm për një javë, për t’u rikthyer sërish në muajin gusht. “Për një javë kam ardhur tani, por në gusht do të vij prapë”.

Ajo ia ka sugjeruar edhe mikeshave të saj të huaja për të kaluar pushimet në Shqipëri.

“Vitin e kaluar kam ardhur me një braziliane këtu dhe thotë që këtu është edhe më bukur sesa në Brazil”.

Një tjetër turiste angleze, e martuar me një shqiptar nga Kukësi ka thënë se i pëlqen shumë moti i shkëlqyer i Shqipërisë. “Ne erdhëm këtu për pushime, jemi shumë të gëzuar, moti është i shkëlqyer, ne jemi shumë me fat, sepse moti është shumë i bukur”.

Më tej ajo ka shtuar se çdo herë që vjen në Shqipëri është gjithmonë e më mirë.

Një tjetër emigrant shqiptar që jeton në Londër prej 22 vitesh ka ardhur për të pushuar disa ditë në plazhin e Golemit, ndërsa ka thënë se Shqipëria ofron një klimë të mrekullueshme edhe në fund të prillit.

“Prej dy ditësh kemi ardhur. Unë jetoj dhe banoj në Londër. Këtu është shumë bukur, koha është fantastike. Mua më duket shumë më mirë, shumë më qetë dhe fundi i prillit me këtë kohë, është një gjë fantastike për ta gjetur”, – është shprehur Ylli Granica.

/z.tosku/a.fortuzi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.