ANTALIA – Depresioni i kushton Europës miliarda dollarë

ANTALIA, 29 prill /ATSH-AA/ – Kostoja që shkakton depresioni në Europë arrin në 113 miliardë dollarë në vit, thotë profesor Allan Young, kryetari i Shoqatës Britanike të Psikofarmakologjisë.

Young, i cili vizitoi qytetin turk Antalia për të marrë pjesë në Kongresin X Ndërkombëtar të Psikofarmakologjisë dhe Simpoziumin XI Ndërkombëtar të Psikofarmakologjisë për Fëmijët dhe Adoleshentët, tha se janë bërë një sërë gjetjesh nga punimet disavjetore që janë zhvilluar në lidhje me depresionin.

Sipas Young, gjasat që një njeri gjatë jetës së tij të vuajë nga ndonjë çrregullim mendor janë 25 për qind.

“Njëzet e pesë për qind është shkallë shumë serioze dhe mund të themi se këto çrregullime janë mjaft të përhapura”, thotë Young.

Duke u bazuar në të dhënat e punimeve aktuale, Young thekson se depresioni është dy herë më i lartë te femrat në krahasim me meshkujt.

“Në këtë ndikojnë faktorë të ndryshëm. Në parim, mendohet se kjo buron nga shkaqe psikosociale. Nëse e mendojmë në nivel botëror, jeta e grave është më e vështirë. Po ashtu, gratë mund të shprehen më qartë, pra janë më të sinqerta, në lidhje me simptomat. Po ashtu, këtu gjenden edhe faktorët biologjikë. Barnat kontraceptive orale që përmbajnë hormonin estrogjen dhe progesteron që merren nga femrat, natyrisht kanë dobi për kontrollin e lindjes, por është vërejtur se ato mund të shkaktojnë depresion”, tregon Young.

Duke folur për koston që shkakton depresioni, ai thotë se ky çrregullim bart me vete një barrë e cila vihet mbi shoqërinë.

“Një punim i kryer në vitin 2013 tregon se kostoja e depresionit klinik është 113 miliardë dollarë në vit në Europë. Mund të themi se edhe tani kostoja vjetore të paktën në këtë nivel”, vë në dukje Young.

Ai thekson se barnat përbëjnë nën 10 për qind të kostos, krahas trajtimit te mjeku apo në spital.

Sipas profesorit Young, personat që vuajnë nga depresioni nuk duhet ta fëjësojnë veten, por duhet të kërkojnë ndihmë sa më parë.

Ai thotë se ka grupe me rrezik të lartë në këtë aspekt, andaj duhet kryer aktivitete për detektimin paraprak të personave që vuajnë nga depresioni në shoqëri sipas historisë familjare./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.