SOFT NEWS – Mos kalo me të kuqe se… lagesh!

263

PEKIN, 28 prill /ATSH/ – Policia e trafikut në një qytet kinez ka shpikur një metodë të re për të inkurajuar sigurinë rrugore duke instaluar në vendkalimet e këmbësorëve pengues që i lagin me ujë të ngrohtë personat që kalojnë semaforin kur ai është i kuq, njofton CRI.

Ky sistem, në provincën Hubei, është i pajisur edhe me teknologjinë e njohjes së fytyrës, kështu që autorët mund të identifikohen dhe të emërohen publikisht dhe ”të turpërohen”, sipas “The Beijing News”.

Shkelësit do të lagen me ujë dhe do t’u jepet mesazhi zanor “Ju lutem mos e kaloni rrugën, kalimi është i rrezikshëm”.

Autoritetet e këtij qyteti kanë shpenzuar 207 mijë dollarë për zhvillimin e sistemit dhe kanë planifikuar ta instalojnë edhe në shtyllat e kryqëzimeve kryesore në të gjithë qytetin.

“Temperatura e brendshme e shtyllave është vendosur në 26 gradë Celsius dhe punëtorët do t’i mbushin ato me ujë të pastër çdo ditë kështu që nuk ka nevojë të shqetësohesh për ndotjen ose për t’u ftohur”, citohet një oficer i policisë.

Fotot e shkelësve do të shfaqen në ekranet e mëdha në zonat publike./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.