Në maj nis ndërtimi i spitalit në Ferizaj

PRISHTINE, 28 Prill/ATSH/- Në muajin maj do të vihet gurëthemeli për fillimin e ndërtimit të spitalit të Ferizajt, projekt ky i cili do të kushtojë 10.2 milionë euro, pa përfshirë pajisjen me aparaturën nevojshme.

Fillimit të ndërtimit të spitalit më së shumti po i gëzohen ferizajasit, të cilët shprehen se nuk do të kenë më nevojë të udhëtojnë drejt Prishtinës e vendeve të tjera për të marrë shërbime shëndetësore.

 

Fillimin e ndërtimit të spitalit të komunës së Ferizajt lajm të mirë e quan edhe drejtori ekzekutiv i rrjetit të organizatave AVONET, Kenan Gashi, i cili shpreson që ndërtimi të fillojë sa më shpejt në mënyrë që qytetarët të mund të marrin shërbime shëndetësore.

Për kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ndërtimi i këtij spitali do t’iu ofrojë qytetarëve të kësaj komune shërbime shëndetësore më të mira, po ashtu edhe stafi shëndetësor do të ketë mundësi dhe kapacitete më të mira për të ofruar shërbime cilësore.

Aliu është shprehur se me ndërtimin e këtij spitali përveç banorëve të Ferizajt, do të përfitojnë edhe banorët e e komunave fqinje.

“Janë shumë reparte, praktikisht pothuajse të gjitha repartet që janë të zakonshme për një spital edhe spitali rejona do t’i ketë pikërisht të gjitha repartet që janë në kuadër të veprimtarisë kryesore të ofrimit të shërbimeve mjekësore. Duke pasur parasysh edhe faktin tjetër se nuk është spital që do t’i shërbej vetëm qytetit të Ferizajt, por do i shërbej edhe komunave fqinje, jashtë territorit të Ferizajt” është shprehur kryetari Aliu.

Duke qenë se do të fillojë të ndërtohet brenda muajit që po hyjmë, përfundimi i tij pritet të bëhet brenda dy viteve. Ndërsa, funksionalizimi i plotë i tij, sipas kreut të Ferizajt pritet të bëhet më së largu deri në përfundim të mandatit të tij si kryetar i komunës.

Spitali rajonal i Komunës së Ferizajt do të ndërtohet tek ish-tregu i kafshëve në rrugën “Driton Islami. //kosovapress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.