Bashkëqeverisja thelbi i mandatit tonë, shkarkime kush nuk bën detyrën

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155767242091523/

 

TIRANË, 28 prill/ATSH-Maela Marini/ – “Ne kemi sfidën e vështirë të qeverisim pa pasur përballë një opozitë të vërtetë, ndaj kjo rrit nevojën tonë për të qenë në lartësinë e duhur në leximin e realitetit të njerëzve”.

Kështu deklaroi të shtunën, Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

“Nga kjo mbledhje të krijohet ideja se sipas nesh të gjitha gjërat janë në rregull, por jo. Të gjitha gjërat nuk janë në rregull. Ne kemi bërë shumë dhe faktikisht i jemi përgjigjur me punët e bëra objektivave që kemi vendosur për këtë periudhë”, tha Rama.

Por nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se “ne nuk jetojmë në një guackë të shkëputur nga realiteti dhe jemi kërcënuar seriozisht nga rreziku që të perceptohemi si të tillë nga njerëzit”.

Njerëzit, tha Rama, “nuk ‘hanë’ shifra, nuk e mbushin tavolinën e bukës me statistika, nuk i veshin fëmijët me ‘suksese’ dhe nuk llogarisin shifrat, statistikat dhe rezultatet tona, por shikojnë ekonominë e tyre familjare”.

“Është shumë e rëndësishme për ne që të jemi shumë më pranë se sa deri më sot me njerëzit dhe që në të gjithë procesin e qeverisjes ne të jemi mishërim i ambicieve, shpresave por edhe dhimbjeve të tyre”, tha Rama.

Sfidë qeverisja pa opozitën përballë, të lexojmë mirë realitetin e njerëzve

Ne jemi para një sfide dhe situate të ndërlikuar, tha Rama, pasi po qeverisim ndërkohë që nuk kemi opozitë.

“Ajo që kemi është një një ngrehinë individësh dhe grupesh të çoroditura që në pamje të parë duket sikur e bëjnë më të lehtë punën tonë, por në fakt e bën më të vështirë. Një opozitë që nuk të sfidon në intelekt, por fizikisht, është një hata e madhe sa i përket nevojës që ka çdo qeveri në botë për t’u sfiduar në intelekt. Ne kemi një opozitë që shkon në Kuvend si në një tapet mundje”, tha Rama.

Një opozitë që ka vizion të vetin shpifjen dhe ka program sharjen, sipas Kryeministrit,  është shumë e rrezikshme për qeverinë. “Kjo, jo sa i përket rezultateve të zgjedhjeve, por për fuqinë tonë për t’u motivuar dhe bërë më të mirën”.

Sfida kryesore që ne, shtoi Rama, është që të jemi në lartësinë e duhur sa i përket motivimit dhe aftësisë për të lexuar realitetin e njerëzve.

Në këtë drejtim, Kryeministri kërkoi ndërmarrjen e një fushate të mirëfilltë nga të gjitha strukturat duke shkruar në çdo qark, bashki dhe njësi administrative për të folur me njerëzit, jo për atë që kemi bërë, por për atë që njerëzit presin nga ne.

“Kjo është shumë e rëndësishme në kushtet kur opozita nuk vjen në parlament për të përjell zërin e njerëzve dhe nuk shfaqet në foltoren e debatit për të mbrojtur interesin e njerëzve. Ne kemi një mandat që në thelbin e vetë ka bashkëqeverisjen me njerëzit. A jemi në lartësinë e këtij mandati?, shtoi Rama.

Përpjekjet e bëra janë të shumta, por rezultatet ende të pamjaftueshme

Sipas Kryeministrit, përpjekjet e bëra janë të shumta, por rezultatet janë të pamjaftueshme.

“Ne sot jemi në kushtet kur kemi marrë një rekomandim pozitiv nga KE dhe nëse do të citoja reporterin për BE-në në komisionin e Bundestagut gjerman i cili tha se: asnjë vend para hapjes së negociatave nuk ka bërë më shumë se Shqipëria. Mbase kjo do të mjaftonte të thoshim që që ne i kemi bërë të gjitha, por në fakt kemi shumë më tepër për të bërë”, tha Rama.

Ai theksoi se, “njerëzit kudo jetojnë me idenë se kur qeverisë e djathta ka edhe më keq, kur qeveris e majta ka edhe më mirë”. “Kur qeveris e djathta mjafton të mos hanë kokrrën e plumbit dhe të mos gjenden të dhunuar në të drejtat e tyre, ndërsa kur qeveris e majta ka gjithmonë më mirë. Kjo është sfidë e madhe për ne, sepse nga ne, njerëzit nuk mund të kënaqen që nuk i vrasim rrugëve dhe nuk i trajtojmë si lecka kur vjen puna për të vlerësuar meritat e tyre. Prej nesh njerëzit kërkojnë shumë më tepër sepse ne jemi forcë e së ardhmes, ata janë e së shkuarës. Ne e kemi treguar në histori se kemi respekt për shtetin, ata janë një forcë që s’kanë asnjë lidhej me respektin për shtetin”, shtoi Rama.

Shkarkime për kryetarët e PS-së në rrethe që merren me punësime

Kryeministri Rama theksoi se sot duhet të ishin propozuar se cilët kryetarë të PS-së duhet të ishin shkarkuar sot dhe jo nesër, për faktin që nuk duan t’ia dinë fare për platformën e bashkëqeverisjes online.

“Janë ata që duhet ta vënë në dispozicion të të gjithë njerëzve. Si mundet që sot pas 6 muajsh, ne të kemi ende bashki ku kryetarët e partisë ende nuk e kanë marrë vesh se çfarë duhet të bëjnë në këtë aspekt”, tha Rama.

Ndërkohë, deputetët sipas tij, “nuk janë zyra pune”. “Deputetëve u duhet dhënë mundësia që të kenë pikën e referimit ku t’ i drejtojnë njerëzit te shqipëriaqëdua.al. Në 5 muaj punë që ka platforma kemi 1 mijë raste në muaj që trajtohen dhe qytatarë që marrin të drejtën e tyre”, tha Rama.

Sipas tij, ka shkuar në 80 veta numri i punonjësve të hipotekave dhe ALUIZNI-t që janë shkarkuar dhe janë në ndjekje penale, sepse nuk kanë dhënë dokumentin në kohën e duhur”.

“Ku janë zyrat dhe kryetarët e partisë. Ata nuk kanë detyrën të merren me punësime. Ka që e bëjnë dhe duhen shkarkuar”, tha Kryeministri.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.