Rama, biznesit: Denonconi abuzimet e inspektorëve në portalin e bashkëqeverisjes

TIRANË, 27 prill/ATSH-Maela Marini/ – Kryeministri Edi Rama ftoi sot biznesin e vogël që të denoncojë në platformën e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al, çdo inspektor tatimor që abuzon me detyrën.

Gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit të vogël, Rama iu përgjigj shqetësimit të tyre për atë pjesë të administratës tatimore që abuzon me detyrën.

“Unë besoj se administrata tatimore sot ka shumë probleme, por nuk krahasohet me atë që kishit para 5 vitesh. Nuk krahasohet, ka tensione, probleme, kontrolle, parazitë dhe grabitqarë, por ata janë kollaj nëse doni t’i luftoni. Të gjithë keni kompjuter, futuni te shqipëriaqëduam.al dhe denoncojeni”, – tha Kryeministri.

Ai theksoi se ka pasur shumë pak denoncime për inspektorët, por nga ana tjetër nuk ka asnjë denoncim ku të ketë fituar inspektori.

“Për çdo denoncim, ata ose janë arrestuar, ose janë larguar, por ju duhet t’i denonconi. Ata duhet ta mësojnë se kur vijnë te një biznes, nuk shkojnë në shtëpinë e babait dhe duhet të jenë në maksimumin e respektit. Ne bëjmë maksimumin duke i trajnuar e porositur, por që ata ta kuptojnë tamam, duhet ta dinë se çdo biznes është jeta e njerëzve që e ka ndërtuar dhe jetën e njerëzve ata nuk mund ta prekin arbitrarisht”, – tha Kryeministri, ndërsa ftoi biznesin të provojë efektshmërinë e platformës së bashkëqeverisjes.

Sipas tij, Shoqata e Biznesit të Vogël e të Mesëm mund të mbledhi shqetësimet dhe të denoncojë në portal, ku do të marrin përgjigje brenda 10 ditëve. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.