Këshilli Kombëtar i Punësimit, Ahmetaj: Prioritet standardet për sigurinë e punonjësve

TIRANË, 27 prill /ATSH/- Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Punësimit, Ministri i Financave Arben Ahmetaj theksoi se tashmë janë bërë shumë përmirësime në drejtim të legjislacionit, ratifikimit të standardeve ndërkombëtare dhe forcimit të inspektimit të punës, por mbetemi të angazhuar të shtojmë monitorimet për sigurinë dhe shëndetin në punë.

“Për ne shëndeti dhe siguria në punë e punonjësve mbetet një detyrim për çdo kompani private e publike dhe vëmendja jonë si qeveri e si ministri, por veçanërisht e Inspektoriatit të Punës, do të mbetet e fokusuar tek përmirësimi i kushteve dhe standardeve që garantojnë sigurinë maksimale për punonjësit”, – tha Ahmetaj.

Mbetemi të angazhuar, tha ministri, që të garantohet puna e denjë, e siguruar me kontribute, për të pasur një pension të denjë, përfshirë dhe vëmendjen për profesionet e vështira si minatorët dhe naftëtarët.

Duke u ndalur në disa statistika të këtij sektori, Ahmetaj theksoi se, numri i inspektimeve në kompani për aksidente në punë është rritur në 115, nga gati 98-100 që ka qenë një vit më parë.

Ndërsa në vitin 2017, u shënuan 137 të aksidentuar në punë, 22% prej të cilëve ishin në sektorin minerar, e më pas vijojnë ndërmarrjet e prodhimit dhe sektori i ndërtimit.

Po kështu, është e rëndësishme të theksohet dhe efekti i rritjes ekonomike tek punësimi, theksoi ai.

“Raporti i Bankës Botërore thekson se Shqipëria është vendi i parë në rajon që punësimi kalon nivelin e 50 %, e lidhur me pjesëmarrjen në forcat e punës, ndërsa papunësia e të rinjve në Shqipëri, megjithëse është akoma e lartë 26 %, është më e ulta në rajon. Në katër vite rresht, pjesëmarrja në forcat e punës është rritur në mënyrë te vazhdueshme dhe në fund të 2017, arriti në 59.1 %, ndërsa papunësia është në nivelin e vet më të ulët historik”, – tha Ahmetaj.

Duke u ndalur te shifrat ministri nënvizoi se, punësimi, vetëm në mandatin e parë të qeverisë Rama shënon mbi 200 mijë vende pune.

Ndërkohë që në 1 janar të 2013-ës ishin rreth 420 mijë vende pune, me bordero në Tatime, sot janë mbi 660 mijë. Pra, në katër vite janë krijuar mbi 35 % e totalit të vendeve të punës në Republikën e Shqipërisë.

Falë rritjes ekonomike të shndërruar në punësim, vendi ynë ka vazhduar vit pas viti uljen e nivelit të varfërisë dhe projeksionet e Bankës Botërore janë për një ulje të vazhdueshme të saj edhe në vitet e ardhshme, theksoi Ahmetaj, ndërsa argumentoi se, falë rritjes së kërkesës së punëdhënësve, po i njëjti raport konstaton edhe një tendencë për rritje të pagave sidomos në sektorët e ndërtimit, energjisë dhe turizmit, një rritje kjo shumë e shëndetshme pasi është pasojë e vetë mekanizmit të tregut, përmirësimi i fondamenteve ekonomike që shoqërohet me rritje të mirëqenies, që raporton edhe INSTAT, shifrën e rritjes së konsumit, rreth 3 %, që është rritja më e madhe e konsumit në 10 vitet e fundit.

Ministri tha se në kuadër të punësimit, një tjetër prioritet i rëndësishëm i është dhënë rritjes së aftësimit, pra arsimit dhe formimit profesional, si një element kyç për bërjen të punësueshëm të qytetarëve, kryesisht atyre që vijnë nga grupet me ndihmë ekonomike.

“Ju, besoj jeni të njohur tashmë edhe me ndryshimin e fundit që ne bëmë me vendim qeverie, duke i ofruar të gjithë atyre anëtarëve të familjeve që dalin nga ndihma ekonomike, apo edhe ata që janë në ndihmë ekonomike, të përfitojnë formim profesional në kurse të formimit profesional, duke u paguar nga buxheti i shtetit, për çdo muaj arsimim apo kurs profesional, 55 mijë lekë të vjetra që është sa gjysma e ndihmës ekonomike. Do të thotë se buxheti i shtetit, qeveria, iu ofron pagesë mujore në këmbim të një kursi profesional, pra kurs profesional falas dhe pagesë nga buxheti i shtetit, mjafton që ata të bëhen më të punësueshëm nga sektori privat”, – theksoi Ahmetaj. /e.xh//r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.