BRUKSEL – Pompeo: Është e rëndësishme që aleatët e NATO-s të respektojnë angazhimet financiare

BRUKSEL, 27 prill /ATSH-AFP/ – Është e rëndësishme që aleatët e NATO-s të respektojnë angazhimet e tyre në fushën e shpenzimeve ushtarake, theksoi sot shefi i ri i diplomacisë amerikane, Mike Pompeo duke kritikuar Gjermaninë, gjatë një takimi me homologët e tij në selinë e NATO-s në Bruksel.

”Gjermania nuk po i respekton angazhimet e nënshkruara prej saj në dhjetor të vitit 2014 në aspektin e shpenzimeve ushtarake. Është e rëndësishme që aleatët e NATO-s të respektojnë angazhimet e marra”, pohoi Pompeo gjatë një konference shtypi në përfundim të takimit.

Gjatë muajve të fundit në këtë drejtim janë shënuar progrese në shumë shtete.

”Presidenti amerikan Donald Trump e ka kthyer këtë çështje në prioritet. Objektivat mbeten të qarta. Kjo është ajo që pritet jo vetëm nga Gjermania, por nga të gjithë ata që kanë nënshkruar këtë marrëveshje”, theksoi Pompeo./
/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.