Pasiguria e qytetarëve dhe biznesit është rritur

TIRANË, 26 prill /ATSH- I. Vata/ – “Pasiguria e qytetarëve dhe biznesit është rritur në vend”, deklaroi sot Kryetari i PD-së, Luzim Basha gjatë vizitës për ngushëllim në familjen e Agim Bucit, i cili u vra gjatë një grabitje një natë më parë në Kamëz.

Në një deklaratë për mediat, Basha tha se “Kamza dhe gjithë Shqipëria është tronditur mbrëmë nga një ngjarje barbare, ku Agim Buci është ekzekutuar me armë zjarri gjatë grabitjes në dyqanin e tij, ndërsa bashkëshortja e tij Merita është plagosur dhe është në gjendje kritike në spitalin Ushtarak në Tiranë”.

“Pasiguria e familjeve shqiptare, pasiguria e biznesit të vogël shqiptar, ka marrë përmasa tronditëse. Në më pak se 4 javë, grabitjet jo vetëm janë bërë një lajm i përditshëm, por për fat të keq, grabitjet janë shoqëruar me vrasje barbare, siç ishte rasti i mbrëmshëm në Kamëz, siç ishte rasti në Fier para disa javësh”, – tha ai.

“Partia Demokratike do të ketë tolerancë zero ndaj krimit”, – theksoi Basha. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.