Një film mbi këngëtarin Ed Sheeran, Apple merr të drejtat ekskluzive

TIRANË, 26 prill /ATSH/ – Këngëtari i famshëm britanik, Ed Sheeran, do të jetë protagonisti kryesor i filmit “Songwriter” që do të prodhohet nga Apple.

Kompania mori të drejtat e këtij filmi, i cili u prezantua në “Tribeca Film Festival” dhe do të trajtojë jetën normale të këngëtarit, kohën kur ai shkruan muzikë dhe përditshmërinë e tij.

Murray Cummings, kushëriri i Ed Sheeran, është njëkohësisht edhe regjisori i këtij dokumentari, i cili e ka ndjekur këngëtarin që prej momenteve të para, kur angazhohej për t’u kujdesur për efektet vizuale të turneve të para të Ed.

Ideja e këtij dokumentari i ka lindur Cummings që prej fillimeve, pasi donte që t’i tregonte botës fillimet e tij, sukseset që pati me “Shape of You”, “Perfect”, por më shumti, për të treguar këngëtarin ashtu siç është vërtet, jashtë petkut të famës.

Ajo çfarë e bën “Songwriter” një dokumentar të veçantë, është se ai nuk përmban asnjë intervistë me personazhe të tjerë dhe as zë narrativ. Regjisori e ka shpjeguar këtë duke thënë se ”doja që publiku të kishte ndjesinë që ajo që po shikon, po ndodh realisht pranë tij”./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.