Aktivitete ndërgjegjësuese në kuadër të Javës Europiane të Vaksinimit

TIRANE, 26 Prill /ATSH/ -Vijojnë aktivitetet në kuadër të Javës Europiane të Vaksinimit me një numër takimesh dhe aktivitetesh në Kukës dhe Tiranë.

Dje u zhvilluan takime informuese dhe monitoruese mbi situatën e fruthit, në disa qendra shëndetësore, si Malzi, Shtiqen, në qytet dhe në DRSH Kukës. Takimet kishin si qëllim përmirësimin e masave parandaluese për eliminimin e fruthit dhe vaksinimin ndaj tij si mënyra e vetme për parandalimin e tij.

Gjithashtu, në këto qendra shëndetësore, u diskutua mbi procesin e vaksinimit, rëndësinë e vaksinimit të personave më të riskuar dhe u ndoq nga afër ky proces. Më tej u vijua me një takim në gjimnazin e Kukësit, i cili synonte ndërgjegjësimin dhe rëndësinë e vaksinimit edhe në moshë adulte, për të parandaluar sëmundjet infektive të parandalueshme nga vaksinat.

Po ashtu u bë edhe një takim me mjekë të qendrës shëndetësore Nr. 10 në Tiranë, në të cilin u paraqit situata aktuale e fruthit, masat parandaluese të ndërmarra dhe angazhimi maksimal i bluzave të bardha për të mbrojtur, vaksinuar dhe parandaluar këtë sëmundje. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.