MADRID – Yildirim: Turqia e vazhdon aspiratën drejt BE-së

MADRID, 25 prill /ATSH-AA/ – Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim deklaroi se vendi i tij do ta vazhdojë aspiratën për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndërkohë që theksoi se fakti që Turqia ka marrëdhënie të mira me Rusinë nuk do të thotë se ato janë alternativë ndaj Europës.

“Ne do të vazhdojmë vendosmërinë tonë për anëtarësim në BE. Fakti që kemi marrëdhënie me Rusinë nuk do të thotë se është një alternativë ndaj Europës. Marrëdhëniet Turqi-Rusi janë të nevojshme edhe për sigurinë e Europës. Europa nuk mund ta përjashtojë Rusinë. Eurazia duhet të jetë një qendër gjeografike e paqes”, tha Yildirim në Nueva Economia Forum që po mbahet në kryeqytetin spanjoll Madrid.

Kryeministri turk bëri të ditur se nuk bëhet fjalë për ndonjë shkëputje nga Europa.

“Ne jemi anëtare të NATO-s. Jemi një vend që kemi pritur BE-në më shumë se 60 vite. Ndërkohë, gjithkush që erdhi pas nesh ka hyrë. Ndaj Turqisë ka një qasje ideologjike”, theksoi Yildirim.

Ndërkaq, në lidhje me krizën e emigrantëve në Mesdhe, Yildirim tha se Turqia dëshiron që “Mesdheu të mos jetë deti ku shuhen çdo ditë jetët e qindra fëmijëve dhe njerëzve”.

“Ne dëdhirojmë që ai të jetë deti i mirëqenies, paqes dhe miqësisë. Për këtë çështje, Spanja dhe Turqia kanë një përgjegjësi shumë të madhe”, shtoi Yildirim./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.