Kompanitë celulare nga 1 qershori kthejnë ofertat 30-ditore

TIRANË, 25 prill /ATSH/- Tre kompanitë celulare që operojnë në vendin tonë, duke filluar nga data 1 qershor 2018, janë të detyruar të kthejnë ofertat në 30 ditë nga 28 ditë që janë aktualisht.

Autoriteti Konkurrencës ka mbyllur hetim paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare dhe vendosi dhënien e rekomandimeve për operatorët e tregut të telefonisë celulare, në rikthimin e kohëzgjatjes së vlefshmërisë së paketave me parapagim nga 28 ditë në 30 ditë.

Zbatimi i rekomandimeve të dhëna nga Autoriteti i Konkurrencës dhe masat rregullatore të ndërmarra nga Autoriteti i Komunikimit Elektronik dhe Postar, sigurojnë jo vetëm zbatimin e ligjit por dhe një konkurrencë të lirë dhe efektive nga ndërmarrjet që operojnë në tregun e telefonisë celulare.

Autoriteti i Konkurrencës njofton se, do të vijojë monitorimin e ndërmarrjeve që operojnë në këtë treg, me qëllim mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.