Dialogu me Serbinë i vështirë, por është rruga e vetme për të ecur përpara

PRISHTINE, 25 Prill/ATSH/- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është i bindur se dekada e dytë e shtetit të Kosovës do të sjellë anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Në konferencën “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformimit, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi në BE” organizuar nga Grupi për Dokumentime dhe Hulumtime, Thaçi shprehu besimin se edhe anëtarësimi në Bashkimin Eeropian  është i mundshëm.

“Ne ballafaqohemi me 5 vende të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por ato janë vende mike të Kosovës sepse e kanë përshëndetur Pakon e Ahtisarit mbi të cilën edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Edhe në raport me Rusinë, do të ishte me interes jetik, por edhe për Serbinë, njohja e Rusisë për Kosovën. Një gjë e tillë do ta lironte nga barra e padrejtë e mitit të padrejtë për Kosovën”, deklaroi presidenti.

Presidenti theksoi se BE-ja nuk e pranon as Kosovën e as Serbinë, pa i zgjidhur çështjet mes vete.

“E di se dialogu do të jetë shumë i vështirë për Kosovën, por në të njëjtën kohë jam i bindur se është rruga e vetme për të ecur përpara. Po dua të theksoj se politika e Kosovës ka nevojë për reformë të thellë, por kjo varet nga partitë politike. Falënderoj edhe shoqërinë civile për kontributin që jep. Roli i mediave do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm. Është fat se në Kosovë mediat i kemi më mirë se në rajon”, tha Thaçi./KosovaPress//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.