75 shkolla në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen rikonstruksionit

122

TIRANË, 25 prill/ATSH/- Në të gjithë vendin, 75 shkolla do t’i nënshtrohen rikonstruksionit duke krijuar kushte më të mira për të gjithë nxënësit.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla ka bërë të ditur se fondi për investime kap vlerën e 1.5 miliard lekë.

“Në 15 prill është mbledhur Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve që ka shpallur thirrjen për investime në zërat për programet e arsimit. Janë njësitë e qeverisjes ato që duhet t’i risjellin projektet sërisht, pavarësisht se i kanë sjellë më parë, duhet ti risjellin për t’i vendosur në afatin që parashikon e gjithë procedura ligjore, të gjitha nevojat”.

Më tej, ajo ka sqaruar se në Komitetin e Zhvillimit të Rajoneve, do të përcillen të gjitha projektet duke ruajtur shpërndarjen, impaktin dhe aty ku nevojat ku janë më të mëdha.

“Ky buxhet do të mundësojë 75 shkolla rikonstruksioni. Ne këtë buxhet do t’ia dedikojmë vetëm shkollave për rikonstruksion, jo ndërtimit të shkollave të reja në mënyrë që të përmbyllim më shumë nevojat që shkollat kanë aktualisht”, ka përfunduar ministrja. z.tosku /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.