Vlora, në Kongresin e Katërt Europian të Autoriteteve Vendore në Poloni

126

Vlorë, 24 prill/ATSH-HarillaKoçi/-Në Kongresin e Katërt të Autoriteteve Vendore Europiane, që do të zhvillohet në Krakov (Poloni), ku do të përfaqësohet edhe Vlora me pjesëmarrës nga organizata të shoqërisë civile, vëmendja do të fokusohet tek qeverisja lokale, si një strategji për të ardhmen.

Me këtë slogan dhe me këtë tematikë, Kongresi i 4-të Evropian i Autoriteteve Vendore, do të mbahet më 26 dhe 27 prill në qytetin e njohur të Polonisë, ku do të jenë të pranishëm rreth 2000 pjesëmarrës, drejtuesit e qeverisjes lokale dhe elitat rajonale, përfaqësuesit e administratës shtetërore, botës së biznesit, kulturës, OJF-të, mediat nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.


2018-ta është viti i zgjedhjeve lokale në Poloni, ku do të votohet në 314 qarqe dhe 66 qytete me të drejta të qarkut, si dhe 2478 komunitete, për të zgjedhur drejtuesit respektivë vendorë në këto nivele. Kjo është arsyeja pse këtë vit, Kongresi Evropian i Autoriteteve Vendore, zë një vend të veçantë në hartën e ngjarjeve në Poloni. Për dy ditë, qyteti Krakov vlerësohet se do të jetë kryeqyteti i Autoriteteve Vendore.
Në këtë aktivitet të përvitshëm pjesëmarrësit do të diskutojnë çështjet thelbësore ekonomike dhe sociale në më shumë se 60 seanca e panele, blloqe tematike, raporte, panele diskutimi, ligjërata, prezantime dhe pritje.
Sipas organizatorëve, krijimi dhe zbatimi i strategjive për të ardhmen kërkojnë negociata të vazhdueshme dhe zgjedhje të vështira. Çka do të thotë se, dialogu mbetet vendimtar për të minimizuar riskun. Prandaj dhe ky është drejtimi ku duhet të orientohen dhe të fokusojnë aktivitetin e tyre, njësitë vendore, drejtuesit e rajoneve dhe bashkive, duke përfshirë edhe organizatat joqeveritare, qeverisjen qendrore dhe komunitetin e biznesit.

Organizatori i Kongresit të 4-të Europian të Autoriteteve Vendore është Instituti për Studime Lindore.

Një vit më parë, në Kongresin e 3-të Evropian të Autoriteteve Vendore, ku u fol për qeverisjen vendore dhe rolin e saj në zhvillimin lokal, tek sektorët e turizmit dhe sipërmarrjes turistike, në ruajtjen e mjedisit, inovacion, ekonomi dhe financë, energji të rinovueshme, ekonomi me përqindje të ulët karboni etj, morën pjesë përfaqësues nga Bashkia e Tiranës dhe Bashkia Vlorë, nga Universiteti “Ismail Qemali”, Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA./e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.