Rritet numri i përdoruesve në portalin e-Albania, 527 shërbime online

TIRANË, 24 prill /ATSH/- Është rritur me rreth 151 439 numri i përdoruesve të rinj të regjistruarve në portalin qeveritar e-Albania gjatë vitit 2017, që marrin on line 527 shërbime të ofrura nga 47 institucione.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara të martën, shifra e përdoruesve të portalit e-Albania për vitin 2017 është dyfishuar krahasuar me vitin 2015, që shënonte 76 776 përdorues.

Krahas rritjes së numrit të përdoruesve në portalin e-Albania, gjatë vitit 2017 janë shtuar edhe 62 shërbime të reja elektronike për qytetarët. Ndërsa, janë kryer 266 248 30 transaksione gjatë vitit 2017.

Përqindjen më të lartë të vizitave në portalin e-Albania, e ka Tirana me 81%, ndërsa 19% e tyre përfaqësohen nga qytetet e tjera të vendit.

Frekuentimi i portalit në rang global, sipas raportit, shënon nivelin 97.15% nga vendet europiane, nga Amerika e Veriut dhe e Jugut 1.8%, nga Afrika 0.07%, ndërsa 0.78% e vizitave janë nga Azia dhe 0.02% nga Australia.

Vula dixhitale është edhe risia më e rëndësishme e portalit për vitin 2017, sipas raportit. Vetëm gjatë kësaj periudhe, punonjësve të administratës publike iu mundësua aksesi i gjenerimit të 29 dokumentave me vulë dixhitale, duke mos i kërkuar më qytetarit kryerjen e aplikimeve të ndryshme. e.xh//m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.