Prestigjiozja “Toronto Star” tregon shqiptarin që ndihmoi viktimat e tragjedisë në Kanada

TIRANË, 24 prill /ATSH/ – Metropoli kanadez ishte dje në gjendje shoku total pas një akti çmendurie të një 25-vjeçari me emrin Alek Minassian, i cili shkaktoi 10 viktima duke i shtypur qëllimisht me furgon.

Mediat nuk kanë reshtur së dhëni informacion për ngjarjen minutë pas minute, duke iu referuar dëshmitarëve të drejtpërdrejtë. Një ndër më të njohurat prej tyre, Toronto Star, ka raportuar edhe emrin e një shqiptari, i cili punon pikërisht në kryqëzimin Yonge dhe Finch, aty ku nisi tragjedia.

Bes Kondi, manaxher i godinës 55 Yonge Street, ka rendur menjëherë jashtë zyrës për të dhënë ndihmën e tij rreth orës 13:30, shkruante dje Toronto Star.

Ai është gjendur së bashku më një agjent policie pranë njërit prej të aksidentuarve që dergjej përtokë, në kryqëzimin Yonge me Kempford Boulevard. Kondi ka ndenjur pranë 60-vjeçarit të goditur nga furgoni dhe ka komunikuar me të deri në momentin kur mbërriti ambulanca. Kronika përshkruan dhe fjalët që kanë këmbyer Besi dhe i aksidentuari, i cili në gjendje shoku rënkonte dhe pyeste vazhdimisht “ç’ka ndodhur, ç’ka ndodhur”. Pas largimit të ambulancës, në rrugë shihej ende mbi tokë xhaketa dhe këpucët e të lënduarit, raportonte e përditshmja kanadeze.

Bes Kondi, i lindur në Tiranë, ka emigruar në Kanada së bashku me prindërit dhe vëllanë, Gazmendin, kur ishte vetëm 14 vjeç, pikërisht 18 vjet më parë.

Tragjedia e djeshme ndodhi pikërisht në “Champs-Élysée”-në e Torontos, “Yonge Street”, rruga më e famshme, që ndan pjesën Lindore nga ajo Perëndimore e qytetit.

Kanë qenë me dhjetëra e qindra ata që kanë përjetuar një tmerr të vërtetë. Plot 26 minuta kanë rrjedhur nga momenti i dhënies së alarmit, deri tek arrestimi i të dyshuarit, i cili në çastin kur iu afrua agjenti i policisë thërriste “më qëllo”.

Ai është djali i Dr. Ruki Kondaj, një prej figurave më të suksesshme në Kanada, që jep kontributin e saj përmes shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze përmes promovimit të kulturës shqiptare në Kanada.

/z.tosku//e.caushi/

https://www.toronto.com/news-story/8564295-10-dead-15-hurt-as-van-mows-down-pedestrians-along-yonge-st-suspect-named/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.