SPORT- Skënderbeu mposht Partizanin në “Selman Stërmasi”

TIRANË, 23 prill/ATSH/ – Supersfida e e javës së 30-të në Kategorinë Superiore mes Partizanit dhe Skënderbeut është mbyllur në favor të ekipit korçar, i cili fitoi me rezultatin e ngushtë 0 me 1.

Volumi i lojës ishte i lartë nga të dyja skuadrat, por pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.

Duhet të vinte minuta e 94-t që rezultati të zhbllokohej me anë të futbollistit të Skënderbeut, Bruno Dita, i cili ka vendosur fatin e kryesfidës.

Në këtë ndeshje rregulli i pashkruar në futboll “po nuk shënove, do të pësosh” u zbatua më së miri, pasi  lojtarët e Partizanit shpërdoruan një sërë rastesh duke treguar mungesë finalizimi përpara portës së Skënderbeut, diçka e cila nuk mund të thuhet për ekipin korçar i cili shënoi në rastin e parë që ju dha mundësia për gol.

Me këtë fitore Skënderbeu i afrohet më shumë titullit kampion, pasi e dërgon në 14 pikë distancën me Kukësin e vendit të dytë, ndërsa Partizani ka bërë një hap pas në rrugën për Kupat e Europës, ku ndodhet dy pikë poshtë Luftëtarit, kur kanë mbetur dhe 7 javë. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.