Promovimi te të rinjtë i kulturës për leximin

TIRANË, 23 prill /ATSH/ – Data 23 prill është përzgjedhur të jetë Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e të Drejtave të Autorit.

Kjo datë ka një kuptim simbolik për letërsinë. E vendosur për herë të parë në vitin 1996 është një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në kuadër të kësaj dite çeli sot aktivitetet kulturore. Në bashkëpunim me Qendrën Rinore të Tiranës, nxënës të shkollës së mesme “Sami Frashëri” vizituan Bibliotekën Kombëtare.

Të rinjtë u njohën më nga afër me bibliotekat dhe rolin e tyre si orientuese e ura lidhëse të dijes me lexuesin. Këto aktivitete janë konceptuar si një ditë “feste” për të shkëmbyer ide e informacione si dhe për të promovuar te të rinjtë kulturën e leximit.

Në 23 prill të vitit 1616 janë ndarë nga jeta William Shekspir, që konsiderohet shkrimtari më i madh i të gjitha kohërave dhe Miguel Servantes, autor i librit “Don Kishoti i Mançes”, që cilësohet si vepra më e përkthyer në botë.

Kjo ditë është padyshim ngjarja më e sponsorizuar nga UNESCO për të nxitur leximin, botimin e librave dhe mbrojtjen e pronës intelektuale nëpërmjet të drejtës së autorit. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.