NJU JORK – Letra e Tupac për ndarjen nga Madona pritet të shitet në ankand

NJU JORK, 23 prill /ATSH-AFP/ – Drejtësia amerikane hodhi poshtë kërkesën e këngëtares, Madona për të tërhequr nga shitja në ankand një letër që i kishte dërguar, në vitin 1995, reperi Tupac Shakur, në të cilën ai përmend ndarjen e tyre.

Letra ishte vënë fillimisht në ankand nga shtëpia “Gotta Have Rock and Roll” për llogari të Darlene Lutz, ish-mikeshë e Madonës, që e kishte marrë gjatë një zhvendosjeje të këngëtares pa dijeninë e saj.

Në këtë letër, që daton në janar 1995, Tupac i bën të ditur Madonës, me të cilën ka pasur një lidhje të gjatë të mbajtur të fshehtë, se e kishte lënë sepse ishte e bardhë.

“Të të shihnin me një njeri me ngjyrë nuk do ta dëmtonte karrierën tënde, përkundrazi gjithçka do të ishte më e hapur dhe pasionante”, shkruan Tupac Shakur, në rreshtat e letrës.

“Por, për mua, të paktën në perceptimin tim të mëparshëm që ndjeva për shkak të imazhit tim do të më kishin braktisur gjysma e njerëzve që më kishin ndihmuar të bëhesha ky që mendoja se isha. Nuk kam dashur kurrë të të lëndoj”, vijon reperi duke iu referuar statusit të ri në botën e repit.

Në fund të muajit korrik, gjyqtari Gerald Lebovits, i Gjykatës së Lartë të shtetit të Nju Jorkut, kishte pezulluar shitjen si masë parandaluese para zgjidhjes së çështjes.

Por, sipas një vendimi që daton të enjten e kaluar, i njëjti gjyqtar ka hedhur poshtë kërrkesën e Madona Ciccone (emri i saj i plotë).

Për të përcaktuar këtë, ai konfirmoi vlefshmërinë e një marrëveshjeje miqësore të arritur në vitin 2004 mes Madonës dhe Darlene Lutz, që parashikonte që këngëtarja të hiqte dorë nga të gjitha paditë kundër ish-mikes së saj për të rikuperuar efektet personale.

Për dy dekada, lidhja mes Madonës (59 vjeçe) dhe Tupac Shakur u mbajt e fshehtë, para se këngëtarja të fliste hapur në vitin 2015./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.