Hapja e negociatave, fillimi i një faze të re dhe të gjatë përpjekjesh

TIRANË, 23 prill /ATSH-Maela Marini/ – “Shqipëria meriton një vendim për të hapur negociatat dhe natyrisht ne jemi të vetëdijshëm që hapja e negociatave nuk është fundi i përpjekjeve tona, por fillimi i një faze të re dhe të gjatë përpjekjesh”.

Kështu deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Belgjikës, Charles Michel, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Hapja e negociatave për Kryeministrin Rama, është një proces që e fut vendin në një fazë tjetër sfidash shumë të mëdha, për të çuar përpara reformat dhe për të treguar seriozitet në zbatimin e tyre.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se hapja e negociatave i jep vendit një status tjetër edhe në sytë e investitorëve të huaj.

“Ne kemi folur për atë që mund të bëjmë së bashku me Belgjikën për të sjellë shumë më tepër turistë dhe investitorë potencialë në sektorin e turizmit duke parë edhe një trend jashtëzakonisht inkurajues, por edhe sfidues”, shtoi Kryeministri.

Sipas tij, është fakt që e tregon historia e vendeve që kanë hapur negociatat, se ato kanë hyrë në një fazë të re në nxitjen e investimeve të huaja.

Rama: Reformat, për t’u ndarë nga Shqipëria e së shkuarës 

“Për ne nuk është një çështje për t’u mbyllur dhe nuk bëhet fjalë që të mbyllemi apo të marrim frymë të lehtësuar, sepse jemi shumë të ndërgjegjshëm se, ky është një proces që vazhdon dhe do të vazhdojë. Reformat janë për të mirën e Shqipërisë dhe nuk janë diçka që bëhen sepse e do Brukseli”, tha Rama.

Sipas tij, ato janë çështje për jetë apo për vdekje, ndërmjet Shqipërisë të së shkuarës dhe Shqipërisë të së ardhmes.

“Çdo ditë punojmë me këtë frymë dhe çdo javë ka gjëra që kryhen dhe ndodhin në Shqipëri. Kemi hyrë në procesin e pastrimit të drejtësisë. Janë 21 gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit të lartë që nuk kanë mundur të kalojnë Vetting-un. Ky është demostrim i një  vullneti shumë të rëndësishëm për reforma dhe për zbatimin e tyre. Jemi të ndërgjegjshëm se kjo rrugë është e gjatë, sepse duhet që pas pastrimit ky sistem të funksionojë dhe të japë shembullin e funksionimit si në të gjitha vendet europiane”, tha Rama.

Rama: Belgjika, mbështetje Shqipërisë në procesin e integrimit

Rama vlerësoi mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe qëndrimin ndaj procesit të zgjerimit në tërësi.

“Dua t’i shpreh falënderimet dhe mirënjohjen Kryeministrit të Belgjikës, i cili e dha fjalën dhe e mbajti atë brenda një kohe të shkurtër, duke ardhur sot të vizitojë Tiranën dhe duke riafirmuar miqësinë që na lidh dhe vullnetin dhe dëshirën e vendit që ai udhëheq për të forcuar marrëdhëniet me Shqipërinë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se në fokus të takimeve të vazhdueshme me Kryeministrin belg, ka qenë perspektiva europiane e Shqipërisë. Po ashtu, sipas tij, është diskutuar për përpjekjet e përbashkëta për të rritur nivelin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, që për hir të së vërtetës, nuk e pasqyron nivelin shumë të mirë dhe cilësinë e shkëlqyer të marrëdhënieve politike”.

Kryeministri Rama theksoi se biseda u ndal te progresi i bërë në adresimin e prioriteteve kryesore që e lidhin Shqipërinë me destinacionin europian dhe diskutuam dhe për raportin dhe rekomandimi pozitiv pa kushte të KE-së.

“Me marrjen e këtij rekomandimi nis një fazë e re për vendin, sepse i gjithë procesi i integrimit është një proces për vendin dhe ardhmërinë e tij, të bazuar në shtet modern dhe institucione demokratike për të cilat ndihmon jashtëzakonisht ky proces”, tha Rama.

Kryeministri Rama shprehu bindjen se në këto përpjekje, Shqipëria ka edhe mbështetjen e Belgjikës dhe miqve e partnerëve europianë.

“Diskutuam edhe për rajonin dhe për ecurinë e procesit të bashkëpunimit rajonal, për intesifikimin e marrëdhënieve rajonale. Nuk është rastësi që kryeministri Michel ndaloi në Tiranë, por do të vazhdojë vizitën më pas në Beograd duke dhënë një mesazh të qartë inkurajimi dhe mbështetjeje për rrugën e re ku ka hyrë rajoni dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe mes vendeve të rajonit”, tha Rama.

I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të ndërmerrte një tur në kancalaritë europiane bashkë me Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, Rama tha se “do të ishte një gjë shumë e vlefshme, nëse ajo do të ndodhte”. “Ju e dini që unë nuk flas asnjëherë për opozitën në gjuhë të huaj, ndaj përgjigja ime shumë shkurt është se pyetja juaj nuk ka nevojë për përgjigje, sepse patjetër që do të ishte një gjë shumë e vlefshme, nëse ajo do të ndodhte”, tha Rama.

Michel: Do të jap rreth tryezës së BE në muajin qershor një mesazh pro vullnetit dhe përpjekjeve tuaja

Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel shprehu mbështetjen e tij për procesin e integrimit të Shqipërisë në familjen europiane, duke theksuar se “Belgjika do të vazhdojë përpjekjet e afrimit të BE me Shqipërinë.”

Sipas kryeministrit Michel muaji qershor do të jetë shumë i rëndësishëm për procesin e integrimit të Shqipërisë, duke theksuar se Belgjika do të japë më tryezën e BE-së në muajin qershor një mesazh pro vullnetit dhe përpjekjeve të vendit tonë.

“Muaji qershor do të jetë shumë i rëndësishëm. Ramë dakord për një dialog të ngushtë me kryeministrin, për të nxitur zhvillimet lidhur me këtë vendim që do merret në muajin qershor.
Vizita ime sot në Shqipëri s’është rastësi, e pranova me kënaqësi ftesën që m’u bë, për të dhënë një sinjal miqësie e vlerësimi nga BE për përpjekjet që janë kryer.

Nuk mund të them një vendim zyrtar, por Belgjika do shprehet në muajin qershor. Ne dëshirojmë të vazhdojmë përpjekjet e afrimit të BE me Shqipërinë, gjithashtu aftësinë për të thelluar reformat brenda BE dhe nxitur e thelluar përpjekjet brenda Shqipërisë për të dhënë një sinjal perspektivash optimiste për zbatimin e reformave.

Me rëndësi është se fillimi i një procesi anëtarësimi është vetëm fillimi, jo mbërritja. S’mund ta vë “qerren përpara kaut”, është në fillim mbledhja e qeverive të vendeve anëtare të BE. Do të jap rreth tryezës së BE në muajin qershor një mesazh pro vullnetit dhe përpjekjeve tuaja. Bëj pjesë te ata që mendojnë se duhet të njihen përpjekjet që janë kryer me rezultate të dukshme.”

Michel: Shqipëria ka bërë reformë në fushën e së drejtës dhe reformës në drejtësi

Gjatë fjalës së tij Kryeministri belg u shpreh se diplomatët po punojnë për t’i çuar marrëdhëniet ekonomike mes vendeve në një nivel tjetër, duke vlerësuar reformat e ndërmarra nga qeveria Shqiptare në fushën e së drejtës dhe reformës në drejtësi.

“Do të bashkëpunojmë për të forcuar marrëdhëniet ekonomiko-tregtare dhe politike. Me rëndësi për BE është edhe partneriteti në fushën e emigracionit. Ka përpjekje të mëdha që duhen vlerësuar. Belgjika e konsideron Shqipërinë si një vend të sigurt, prandaj duhet parandaluar emigracioni ilegal dhe ne e vlerësojmë bashkëpunimin e qeverisë. Shqipëria ka bërë reformë në fushën e së drejtës dhe reformës në drejtësi. Në javët e ardhshme do ketë diskutime të rëndësishme për Rajonin dhe të ardhmen e BE. Do kemi dialog të ngushtë me Kryeministrin”, deklaroi Michel.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.