FOTO/ Pastrohen 110 tonë mbetje nga katër lumenjtë e qarkut Gjirokastër

485
TIRANË, 23 prill /ATSH/ – Aksioni për pastrimin e shtretërve të lumenjve, ndotja e të cilëve është kthyer në një shqetësim të madh për të gjitha zonat ku ato kalojnë, në qarkun Gjirokastër, angazhoi punonjësit e një sërë institucionesh dhe nxënësit e shumë shkollave, të cilët gjatë një jave larguan 110 tonë mbetje në segmentet problematikë përgjatë lumenjve Vjosë, Drino, Dëshnicë e Bënçë.

Prefekti i Gjirokastrës Astrit Aliaj u shpreh për ATSH-në se, aksioni u zhvillua në kuadër të “Ditës së Tokës” me qëllimin e mirë dhe të domosdoshëm për të ndaluar ndotjen e mjedisit ku jetojmë.

E konsideruar si “Java e Tokës”, aksioni mbarëkombëtar për pastrimin u fokusua në zonat përreth shtretërve të lumenjve në të gjithë Shqipërinë.

Ky aksion, tha Aliaj, i paraprin dhe hapjes së sezonit turistik 2018, me një mjedis më të pastër dhe veçanërisht në zonat e lumenjve, që për bukuritë e peizazhit të tyre, janë mjaft të frekuentuar nga shumë turistë.

Institucioni i Prefektit të qarkut Gjirokastër, nën drejtimin e Prefektit Aliaj ka ndjekur mbarëvajtjen e këtij aksioni ku përgjatë kësaj jave janë larguar rreth 110 tonë mbetje nga katër lumenjtë e qarkut Gjirokastër.

Në 22 prill, në “Ditën e Tokës”, më shumë se 1 bilion njerëz në 192 shtete të botës marrin pjesë në atë që mund të quhet dita më e rëndësishme e aksionit qytetar për mbrojtjen e planetit ku jetojmë. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.