SHBA – Homazh plot me emocion për ish-Zonjën e Parë, Barbara Bush

173

HUSTON 22 prill /ATSH-AFP/ – Ish-presidentë, familjarë dhe miq u mblodhën sot për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-Zonjës së Parë të SHBA-së, Barbara Bush, e cila vdiq të martën në moshën 92-vjeçare dhe që ishte shtylla e një prej familjeve më të mëdha politike në vend.

Barbara Bush la pas bashkëshortin, George H. W. Bush, 93 vjeç dhe president nga viti 1989 deri në 1993, pesë fëmijët si George W. Bush, president nga 2001 deri më 2009, 17 nipër dhe shtatë stërnipër.

“Barbara Bush ka mbushur jetët tona me buzëqeshje dhe gëzim”, theksoi një prej djemve të saj, Jeb, i cili mori fjalën për familjen në shërbesën që u zhvillua në kishën episkopale “St. Martin” të Houstonit.

“Ajo ishte mësuesja dhe modeli ynë në mënyrën tonë për të jetuar një jetë me qëllime dhe kuptim”, shtoi ish-guvernatori i Floridas dhe kandidat në parapraket republikane për zgjedhjet presidenciale 2016.

Një mijë të ftuar, mes të cilëve ish-çiftet presidenciale demokratë Barack dhe Michelle Obama si dhe Bill dhe Hillary Clinton, morën pjesë në këtë ceremoni të mbushur me emocion dhe transmetuar drejtpërdrejt nga stacionet e mëdha televizive.

Zonja e Parë aktuale, Melania Trump ishte gjithashtu e pranishme përkrah çiftit Obama për të përfaqësuar Donald Trump.

“Ky i fundit ka dashur të shmangë “shqetësimet” që do të ishin shkaktuar nga masat shtesë të sigurisë që nevojiteshin për praninë e tij, si dhe nga respekti për familjen Bush”, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Donald Trump i shprehu ngushëllime familjes Bush.

“Sot bota bën homazh për një grua me personalitet dhe një elegancë të padiskutueshme”, theksoi në një komunikatë Melania Trump duke përshëndetur jetën Barbarbara Bush si nënë, bashkëshorte dhe Zonjë e Parë guximtare./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.