Plan punësimi përmes produkteve “Made in Albania”

Akademikja e shkencave ekonomike, Milva Ekonomi shpjegon për ATSH-në, Planin Kombëtar të Qeverisë për Punësimin, duke ndërhyrë në 4 sektorë prioritarë të zhvillimit të ekonomisë të cilët gjenerojnë vende të reja pune.  

TIRANË, 22 prill /ATSH/- Programi Kombëtar i Punësimit që po harton qeveria, parashtron disa politika të reja që do të ndiqen për uljen e papunësinë duke ndërhyrë veçanërisht në 4 sektorët prioritarë të zhvillimit të ekonomisë të cilët gjenerojnë vende të reja pune.

Akademikja e shkencave ekonomike, Milva Ekonomi në një intervistë për ATSH-në, tha se jemi duke punuar për të hartuar një Dokument Strategjik të Punësimit, për t’i ardhur në ndihmë strategjisë ekzekutive të qeverisë për punësimin.

Ekonomi tha se, për ne është e rëndësishme t’i japim vëmendje sektorëve potencial që ka vendi dhe gjenerojnë punësim si bujqësia, turizmi, shërbimet dhe sektori inovativ.

“Duke qënë se agroturizmi është një fushë shumë e rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë së vendit, mendohet që shkollat profesionale në hoteleri dhe turizëm të jenë edhe më të bollshme, por duke i dhënë mundësinë që të barazohet cilësia e shërbimit në këto sektorë me ato që vijnë nga vendet e europës e më gjerë”, u shpreh Ekonomi për ATSH.

Shqipëria duhet të fillojë të dali me produktet e saj “Made in Albania” dhe për këtë duhet të krijojë një fashë procesesh që kanë të bëjnë me marketimin, akreditimin, standardizimin, paketimin, që produkti të bëhet vërtetë “Made in Albania” dhe të gjitha këto janë fusha që sjellin punësim të ri por edhe edukim të një mase të re.

Në këto vite ka një analizë shumë pozitive që tregon se trendi rritës i Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ka dominuar me të njëjtën masë edhe me trendin e rritjes së punësimit.

“Masat që ka marrë qeveria për të nxitur prodhimin bujqësor dhe turizmit, janë masa që çojnë drejtëpërdrejt në rritjen e punësimit në këto sektor, theksoi Ekonomi për ATSH.

Nga ana tjetër, vijoi ajo, ministritë e linjës po punojnë në tre drejtime kryesore, për të orientuar punësimin, për kategorinë e atyre që kanë dalë nga tregu i punës dhe duan të ripunësohen, punësimin e të rinjve për herë të parë dhe orientimi për profesionet që ka nevojë ekonomia.

Grupi i punës i ngarkuar nga qeveria për hartimin e Programit Kombëtar të Punësimit, po vijon të zhvillojë me grupet e interesit, diskutimin në qarqe të ndryshme të vendit.

Qëllimi i këtyre takimeve është të marrim sugjerimet e tyre, në mënyrë që dokumenti i ri strategjik të jetë një reflektim i situatës reale në lidhje me punësimin në Shqipëri. Në këtë mënyrë, do të ndërhyet për të ristrukturuar dhe përmirësuar situatën pikërisht në ato institucione që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me punësimin,në trajnimin dhe kualifikimin profesional që i afron me shume qytetaret me tregun e punës, shpjegon Ekonomi.

Nga ana tjetër, vijon ajo, do të ndërmerren politika të reja në ata sektorë që kane potencial të jashtëzakonshëm për të gjeneruar vende pune. Të gjithë bashkë duhet që domosdoshmërisht të ndryshojmë mentalitetin dhe kulturën e punës duke nxitur orientimin drejt “Smart Job” te të rinjtë, thotë ajo. e.xh//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.