Dardha ne 100 fshatrat, flet Kryetari i bashkisë Korçë

TIRANË, 22 prill/ATSH-Maela Marini/- Nxitja e turizmit familjar dhe atij malor janë pikënisjet kryesore që kanë përfshirë Dardhën, rreth 17 km larg nga Korça, në programin “100 fshatrat”.

Me një numër të konsiderueshëm bujtinash dhe tavernash tradicionale, të cilat ofrojnë ushqim tradicional dhe tepër të veçantë, si dhe me pistën e skive që frekuentohet nga një numër i madh vizitorësh vendas dhe të huaj gjatë muajve të dimrit, Dardha ka të gjitha mundësitë për t’u shndërruar në model të zhvillimit rural.

Në një intervistë për ATSH-në, Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo detajon përfitimet që pritet të ketë përfshirja e Dardhës në programin “100 fshatrat”, si për komunitetin lokal ashtu edhe në kuadër të zhvillimit të turizmit rajonal, nisur nga fakti se në bashkinë e Korçës janë përzgjedhur edhe Drenova, Voskopoja dhe Boboshtica.

Projekti “100 fshatrat”, sipas tij, është një nga projektet me të mirëkonceptuara për zhvillimin rural, dhe ka ardhur në momentin e duhur.

“Bashkia e Korçës jo vetëm ka evidentuar listën e nevojave dhe problematikave të gjetura në këto fshatra, por edhe ka prioritarizuar nevojat për ndërhyrje”, u shpreh Filo.

Sipas tij, “këto janë fshatra me potenciale të konsoliduara turistike dhe me ndërhyrjet që do të bëhen, do të kthehen në modele të zhvillimit rural”.

Konkretisht, Filo thekson se, është bërë rikonstruksioni i rrugës hyrëse në fshatin e Dardhës, që ka përfshirë edhe shtrimin me gurë të gdhendur dhe karakteristikë të zonës, e cila ju jep mundësi turistëve të shkojnë deri në destinacion. Po ashtu, është bërë sistemi i ndriçimit në hyrje dhe në qendër të fshatit.

Monumente, traditë dhe natyrë, ftesa e Dardhës për turizëm

Zhvillimi i Dardhës varet kryesisht nga turizmi, ndaj vlejnë për t’u veçuar monumentet e natyrës si Guri i Vjeshtës, Rrëpira e Rahut, Bredhi i Vishnjës, apo burimet ujore të zonës që njihen për vlerat kurative.

Me projektin e “100 fshatrave”, sipas Filos, synohet së pari, restaurimi i Monumenteve të Kulturës dhe shtrimi me kalldrëm dhe ndriçimi i rrugëve të brendshme të fshatit Dardhë.

Po ashtu, do të bëhet edhe rikonstruksioni i zyrave të ish-komunës dhe kthimi i tyre në zyrë informacioni turistik.

“Unifikimi i çative karakteristike me plloçë; rehabilitimi i gjurmës ekzistuese të rrugës së vjetër hyrëse për në Dardhë; përmirësimi i infrastrukturës rrugore që lidh Dardhën me Korçën; rrethimi i varrezave; ndërtim i qendrës shëndetësore; rikonstruksioni i rrjetit të Ujësjellësit dhe ndërtimi i rrjetit KUZ”, sipas Filos, janë disa prej ndërhyrjeve që do të bëhen në kuadër të projektit “100 fshatrat”.

Ai theksoi se do të bëhet rikonstruksioni i rrjetit të furnizimit me energji elektrike, përmirësimi i aksesit dhe vendosja e sinjalistikës turistike për monumentet e natyrës dhe të kulturës.

Në kuadër të “100 fshatrave”, Filo tha se do të hartohet projekti për sistemimin e pistës së skive dhe ndërtimin e kompleksit turistik dimëror në fshatin Dardhë.

Ndërtimi i infrastrukturës mbështetëse për aktivitete rekreative dhe sportive, promovimi i produkteve dhe ushqimeve tradicionale, promovimi i artizanatit dhe festave, sipas tij, do të jenë prioritete të tjera të investimeve në Dardhë.

Domosdoshmëri, sipas tij, mbetet përmirësimi i infrastrukturës rrugore që lidh Dardhën me Korçën dhe ndërhyrje për lehtësimin e komunikimit me këtë zonë gjatë stinës së dimrit

Turizëm gjithëvjetor në Dardhë  

Dardha dallohet për peizazhin natyror atraktiv e të shumëllojshëm. Në Dardhë mund të shijoni pamjet e mrekullueshme të natyrës dhe të eksploroni natyrën e pasur në të gjitha stinët e vitit.

Në stinën e dimrit Dardha me pjerrësitë e saj është një vend ideal për amatorët e skive. Pista e skive është në funksion të plotë, dhe është sot një nga pikat më tërheqëse dimërore të Dardhës.

Dardha ka kapacitete dhe potenciale të konsiderueshme, në organizimin e konferencave shkencore dhe ngjarjeve me karakter kulturor e turistik.

Ajo lidhet me Korçën me një rrugë automobilistike në kushte të përshtatshme. Vështirësi komunikimi me këtë zonë ka në periudhën e dimrit, për shkak të ngricave.

Dardha dallohet për tradita të hershme dhe kostumet karakteristike, përpunimin e drurit, shajakut. Gjatë ceremonive luhet vallja tradicionale dardhare, interpretuar me kostumin karakteristik me ngjyrat kuq e zi dhe brez argjendi. Fshati është njohur për sëpatën e tyre si “sëpata e dardharit”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.