Gjonaj: Mbështetja më e madhe buxhetore e qeverisë për institucionet e Vettingut

TIRANE, 21 Prill/ATSH/- Qeveria shqiptare e ka mbështetur në mënyrë të jashtëzakonshme reformën në drejtësi dhe në një kohë shumë të shkurtër, ka bërë gati të gjitha aktet nënligjore duke i miratuar ato, për sa i përket infrastrukturës dhe mbështetjes buxhetore. Është mbështetja buxhetore më e madhe që u është dhënë në një kohë kaq të shkurtër komisioneve, të cilët po kryejnë vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Kjo ka qenë deklarata e bërë nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë një takimi të zhvilluar me avokatë, noterë dhe juristë të qytetit të Fierit, me të cilët ka diskutuar lidhur me çështjet e reformës në drejtësi,  ecurinë e saj, krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë dhe efektet që do ketë ajo për qytetarët, por edhe për aktorët e fushës së drejtësisë.

Ministrja ka bërë një prezantim të plotë të ecurisë së reformës dhe ndryshimeve cilësore që ajo do të sjellë, veçanërisht në rikthimin e besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë, ndërsa ka theksuar se reforma në drejtësi ishte një nga arritjet më të rëndësishme, të vlerësuara dhe nga Komisioni Europian në dhënien e Rekomandimit pa kushte për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE.

Takimit është zhvilluar në formën e një bashkëbisedimi, ku ministrja Gjonaj u ka dhënë përgjigje shqetësimeve të avokatëve dhe noterëve për çështje të ndryshme.

Gjatë diskutimit për projektligjin e ri “Për profesionin e avokatit”, pjesë e paketës ligjore të profesioneve të lira, ministrja Gjonaj ka theksuar se projektligji është diskutuar dhe konsultuar në tryeza të ndryshme me grupet e interesit.

Sipas saj, ndër risitë e ligjit janë forcimi i trajnimit fillestar, ose i shkollës, që Dhoma Kombëtare e Avokatisë ofron për avokatët e rinj dhe trajnimin vazhdues detyrues për çdo avokat.

“Ligji synon forcimin e masave disiplinore. Ministria e Drejtësisë e ka aktualisht një rol në Komisionet Disiplinore të Avokatisë, por më duhet të pranoj se nuk ka qenë në lartësinë e duhur dhe nuk ka përmbushur detyrat e tij në mënyrën më funksionale të mundshme”, ka thënë ministrja Gjonaj.

Ministrja ka pranuar se në pjesën më të madhe gjykatat kanë probleme infrastrukturore, por ajo ka theksuar se harta e re gjyqësore, që shumë shpejt do të miratohet me ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor do të bëjë një ndryshim dhe një organizim të gjykatave nëpër rrethe gjyqësore. Më pas qeveria do të mbështesë me investime rikonstruksionin e godinave të gjykatave, në të cilat do të parashikohen edhe mjedise të veçanta pune për avokatët.

Ministrja u është përgjigjur edhe shqetësimeve të ngritura nga avokatët dhe noterët lidhur me punën e tyre të përditshme dhe marrëdhëniet me institucionet e tjera që varen nga MD si ZRPP apo ALUIZNI./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.