BRUKSEL – BE: Ndërprerja e testeve bërthamore koreano-veriore një etapë pozitive

BRUKSEL, 21 prill /ATSH-AFP/ – Bashkimi Europian e cilësoi sot një etapë pozitive, të pritur prej shumë kohësh, njoftimin nga lideri korano-verior, Kim Jong Un për ndërprerjen e testeve bërthamore dhe testimin e raketave ndërkontinentale të Phenianit.

“Njoftimi, i përshëndetur gjithashtu nga Uashingtoni dhe Pekini, është një etapë pozitive, pritur për shumë kohë, në rrugën që do të çojë në denuklearizimin e plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm të vendit”, theksoi në një komunikatë përfaqësuesja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini.

“Objektivi mbetet respektimi i plotë nga Pheniani i detyrimeve ndërkombëtare, i të gjitha rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ratifikimit të Traktatit për ndalimin e plotë të provave bërthamore”, shtoi Mogherini.

Ky njoftim spektakolar ndodhi të paktën një javë para samitit të parashikuar mes Phenianit dhe Seulit që i paraprin një samiti historik që do të zhvillohet mes Kim Jong Un dhe presidentit amerikan, Donald Trump, në fillim të qershorit.

Drejtuesi koreano-verior, Kim Jong Un njoftoi se do të ndërpriste testet bërthamore, lëshimin e raketave ndërkontinentale dhe se do të mbyllte qendrën e provave bërthamore, njoftoi sot agjencia koreano-veriore e lajmeve KCNA.

“Duke nisur nga 21 prilli, Koreja e Veriut do të ndërpresë testet bërthamore dhe lëshimet e raketave balistike ndërkontinentale”, shkruan KCNA./
/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.