BERZH 218 milionë euro KESH-it për ristrukturimin e borxheve të vjetra

207

TIRANE, 21 Prill/ATSH/- Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim njoftoi zyrtarisht plotësimin e të gjitha kushteve nga pala shqiptare për bërjen efektive të marrëveshjes së kredisë, të lidhur ndërmjet kësaj banke dhe KESH sh.a., me vlerë 218 milionë euro, e cila u nënshkrua me 30 qershor 2016 me synim ristrukturimin e borxheve të vjetra.

Lajmi u konfirmua nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

Plotësimi i kushteve, sipas tij, përfshinte kryerjen e reformave të thella ligjore dhe rregullatore në sektorin e energjisë elektrike në funksion të ristrukturimit të kompanive KESH, OST, OSHEE si dhe liberalizimit të tregut dhe krijimit të Bursës Shqiptare të Energjisë.

Pas një negocimi të vështirë, me ndihmën e BERZH-it, shprehet Gjiknuri, u arrit të plotësohej një nga kushtet më kryesore për disbursimin e kësaj kredie, nënshkrimi i marrëveshjes për shlyerjen e të gjitha detyrimeve të prapambetura, sipas një skeduli të rënë dakord ndërmjet KESH dhe OSHEE.

“Marrëveshja për shlyerjen e plotë të të gjitha detyrimeve të prapambetura ndërmjet kompanive të sektorit, arrihet për herë të parë sot, duke bërë të mundur kështu zgjidhjen e një problematike të krijuar dhe trashëguar nga kriza që pësoi sektori energjitik në vitet 2010-2013”, deklaroi kreu i MIE-s, Gjiknuri.

Bërja efektive e kësaj kredie, sipas tij, përbën jo vetëm një garanci më shumë për stabilitetin financiar të sektorit të energjisë, por sigurisht është një tregues domethënës për ecurinë e mëtejshme të reformave dhe rritjen e investimeve në sektorin e energjisë./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.