Veliu merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të SEPCA-s

TIRANË, 20 prill /ATSH/ – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Shoqatës së Shefave të Policisë të Europës Juglindore (Southeast Europe Police Chiefs Association – SEPCA), të mbajtur në Ohër të Maqedonisë.

Në këtë takim ishin të pranishëm drejtuesit e policive të rajonit si dhe koordinatorët kombëtarë të vendeve anëtare të SEPCA-s. Gjithashtu morën pjesë përfaqësues të EUROPOL-it, IOM-it, departamentit për Sigurinë Publike në Itali, IPA-s, sekretariatit të IISG-së, si edhe organizatave të tjera.

Ministri i Brendshëm i Maqedonisë Oliver Spasovski vlerësoi kontributin e rëndësishëm të SEPCA-s, për rritjen e parametrave dhe standardeve të sigurisë në gjithë rajonin që përfshin vendet e Europës Juglindore.

Pjesëmarrësit në Asamble diskutuan mbi mundësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet strukturave të SEPCA-s dhe strukturave të EUROPOL-it, me qëllim përgatitjen në të ardhmen, të dokumentit strategjik të SEPCA-s të quajtur ‘Sistemi i Menaxhimit të Informacionit’ (Management Information System – MIS).

Përfaqësuesi i EUROPOL-it prezantoi raportin e përgatitur nga EUROPOL-i, mbi disa nga fenomenet kryesore kriminale, të cilat cënojnë rendin dhe sigurinë publike të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Të pranishmit vlerësuan gjithashtu shkëmbimin shumë të mirë të informacionit, që ekziston mes të gjithë strukturave policore, të cilat janë anëtare dhe përfaqësohen në SEPCA, si dhe mbi mundësitë për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit policor rajonal në të ardhmen, në kuadër të kësaj nisme.

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, pati një takim të veçantë me Drejtorin e Përgjithshëm të Byrosë për Sigurinë Publike të Maqedonisë, Lazo Velkovski. Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, luftës kundër terrorizmit, etj.

Detaje të bashkëpunimit midis dy strukturave policore të Kufirit dhe Migracionit, ishin pikë tjetër e diskutuar në këtë takim.

Shqipëria dhe Maqedonia kanë nënshkruar një protokoll bashkëpunimi, i cili synon krijimin e lehtësirave për qytetarët që lëvizin mes vendeve tona në pikat e kalimit kufitar, si dhe rritjen e rezultateve konkrete kundër fenomenit të emigracionit të paligjshëm dhe parandalimit të trafiqeve të ndryshme përgjatë linjës së kufirit mes dy vendeve. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.