Sllovenia mbështetje integrimit të Shqipërisë

TIRANË, 20 prill/ATSH/-Ambasadori shqiptar në Slloveni, Pëllumb Qazimi u prit në një takim nga Presidenti i Këshillit Kombëtar të Sllovenisë, nga ku, ky i fundit pohoi që jo vetëm do të mbështesë Shqipërinë për çeljen e negociatave por edhe i bën thirrje vendeve anëtare të BE-së për hapjen e bisedimeve.

Gjatë takimit, ambasadori shqiptar shprehu falënderimet e tij për autoritetin e lartë slloven për mbështetjen e vijueshme të Sllovenisë për integrimin europian të Shqipërisë dhe së fundi për qëndrimin inkurajues e mbështetës ndaj rekomandimit të Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Nga ana e tij, edhe Presidenti i Këshillit Kombëtar uroi Shqipërinë për rekomandimin ndërsa pohoi se në një periudhë shumë të afërt ai do ju bëj thirrje homologëve të tij të senateve të vendeve anëtare të BE-së që të ofrojnë të gjithë inkurajimin e mbështetjen për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu, ambasadori shqiptar bëri një pasqyrë të marrëdhënieve e të bashkëpunimit shumë të mirë ndërmjet dy vendeve, duke theksuar nevojën për intensifikim të bashkëpunimit në fushën ekonomike.

Sakaq, gjatë takimit u shkëmbyen mendime edhe për rrugët e ndryshimeve pozitive në aspektin e bashkëpunimit dypalësh në fushën ekonomike dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.

Kovšca premtoi se do të jetë i gatshëm dhe i angazhuar me ide e projekte konkrete së bashku me Ambasadën në të mirë të konkretizimit të bashkëpunimit ekonomik dypalësh. Po ashtu, u shkëmbyen mendime e vlerësime konstruktive edhe për zhvillimet rajonale dhe rolin e Shqipërisë për paqe e qëndrueshmëri në rajon, si dhe për statusin e komunitetit shqiptar që banon në Slloveni. z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.