Punësimi u rrit, varfëria është ulur

180

TIRANE, 20 Prill/ATSH/-Banka Botërore thotë që Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku punësimi u rrit mbi 50% të forcës së punës, pagat janë rritur, ndërkohë që varfëria ka rënë.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj në një konferencë për shtyp deklaroi se ky vlerësim hedh poshtë pretendimet e opozitës, e cila, sipas tij, kërkon të baltos realitetin për përfitime politike.

Raporti i BB-së, nënvizon Ahmetaj, thotë se papunësia e të rinjve në Shqipëri, është më e ulëta në rajon, në nivelin 26%, e ndjekur nga Mali i Zi dhe Serbia me 30 %.
Po ashtu, duke iu referuar raportit të Bankë Botërore, ministri i Financave tha se sistemi fiskal në Shqipëri po redukton pabarëzinë.

“Ashtu edhe siç e deklaruam 4 vite më parë, taksa e sheshtë rrit varfërinë, ndërsa tatimi progresiv do të ndihmojë shtresat më në nevojë. E vërteta ja ku është. Tatimi progresiv është në favor të shtresave më në nevojë, të qytetarëve të zakonshëm që shkojnë në punë në mëngjes e kthehen në mbrëmje dhe, siç e kemi theksuar, janë mbi 540 milionë dollarë që nëpërmjet kësaj politike fiskale kaluan nga buxheti në xhepat e qytetarëve. Këtu flet Banka Botërore, nuk flasim ne, meqë rëndom ne i referohemi Bankës Botërore”, deklaroi ministri.

Ndërsa në analizën e saj për buxhetimin raporti i BB-së thotë se buxhetimi në Shqipëri, më i besueshmi në rajon.

“Shqipëria ka bërë progres domethënës në disiplinën fiskale” thotë Banka Botërore.
Ministri siguroi edhe një herë se nuk do të ketë koncesion për TVSH-në.

Përkundrazi, shtoi ai, procedura që ne po bëjmë me biznesin e vogël është në favor të formalizimit dhe në favor të biznesit të vogël.

Politikat nxitëse dhe lehtësuese, theksoi ministri, do të vazhdojnë ./a.gjonaj// a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.