Policia shqiptare drejt mesatares së policive të BE-së

TIRANË, 20 prill /ATSH-Arbi Fortuzi/ – Niveli i Policisë Shqiptare duhet të jetë në nivelin mesatar të policive në Bashkimin Europian.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë vijuar sot “Forumin me Qytetarin” për të rritur bashkëpunimin mes policisë dhe qytetarëve në forcimin e rendit të sigurisë. Gjatë forumit për sigurinë me qytetarët, kryeministri Edi Rama tha se rritja e performancës së Policisë së Shtetit vjen duke pasur një rritje të ndërveprimit mes policisë dhe qytetarëve. “Numri i vrasjeve është më i ulti në trendin historik. Po ashtu dhe sa i takon veprave të tjera penale kemi një rënie të ndjeshme, çka tregon që jemi në rrugën e duhur dhe jam i bindur se do shkojmë aty ku mendojmë se duhet të jemi, në parametrat e mesatares së policive të Bashkimit Europian. Kemi hapur negociatat, integrimi ndoshta nuk vjen nesër, është rrugë e gjatë, por ne duhet të jemi gati dhe duhet që çdo strukturë të jetë në nivelin e BE-së”, tha Rama.

Duke folur për Forumin, Rama tha se “Qëllimi i këtij organizimi është krijimi i një lidhjeje të re mes policisë dhe komuniteteve, duke kaluar në një fazë tjetër, që e kthen policinë nga një strukturë kontrolli, në një strukturë shërbimi, që jo thjesht reagon kur merr një alarm, por që është aty për të bashkëvepruar së bashku me njerëzit. Roli i policsë është shumë më i gjerë se sa lufta me krimin dhe përballja me keqbërësit. Ne jemi ende në një fazë reformimi të policisë së shtetit. Ndryshimi i qasjes për të ndryshuar një proces të nisur disa vite më parë, që policia e shtetit të mos jetë indiferente, por të veprojë”.

“Ju jeni të informuar dhe për procesin e Vetting-ut në policinë e shtetit dhe përveç asaj që duket e thuhet, ka një rëndësi të posaçme në forcimin e dinjitetit të çdo punonjësi policie dhe të çdo njeriu që shërben si pjesë e strukturave të policisë së shtetit. Procesi nuk është vetëm i njëanshëm, pra nuk është sa do dalin nga strukturat e policisë së shtetit, për shkak të mos justifikimit të pasurisë apo të tjera gjëra, por sa do fitojnë ata që do mbeten brenda policisë së shtetit dhe sa e vetëdijshme do të jetë ajo si e tërë në raport me nevojat që ka ndaj saj”.

“Këto forume do të rrisin rezultatet e punës së Policisë së Shtetit. Policia do të jetë më e fokusuar tek keqbërësit duke pasur në krah qytetarin. Krijimi i këtij komunikimi duke e kthyer në një takim tradicional, do të rrisë komunikimin e punonjësit të policisë me qytetarin. Rast tipik është ai i policisë në rrugë me qytetarin, aftësia për të thënë ‘Mirëmëngjes!’, ‘Të lutem!’, ‘Faleminderit!’… etj, pavarësisht se qytetari i ndaluar në atë moment mund të ketë bërë shkelje… Mirësjellja e komunikimit janë detyrim në çdo rast. Përmes këtij forumi përforcohet kjo ide…”, shtoi Rama.

“Policimi në komunitet është një filozofi e tërë e strukturave të policive në vendet e zhvilluara, është një instrument i patjetërsueshëm dhe pa alternativë të dytë. Këtu është në hapat e para dhe këto aktivitete të para, janë premtuese se ka interes për t’i ndjekur. Këto janë embrion të një zhvillimi që do të shkojë duke u bërë gjithnjë e më shumë i prekshëm nga qytetarët. Në fund të ditës është e rëndësishme që e gjithë trupa policore duhet të jetë e përfshirë në këtë komunikim, ndërveprim me qytetarin. Të gjithë punonjësit e policisë duhet të jenë të vetëdijshëm se duhet të japin llogari para qyteatrëve”, tha kryeministri Edi Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.