Pesë fshatra të bregdetit të jugut së shpejti furnizim 24 orë me ujë

TIRANË, 20 prill/ATSH/.- Rreth 6 mijë banorë të pesë fshatrave të bregdetit të jugut, Kuç, Kudhës, Pilur, Qeparo-Fushë dhe Qeparo-Fshat do të furnizohen me ujë të të pijshëm 24 orë falë një financimi prej 2 milionë euro të qeverisë shqiptare.

Projektet “Për rikonstruksionin e ujësjellësit në fshatrat Kuç, Kudhës dhe Pilur” si dhe “Për Rikonstruksionin e Ujësjellësit në fshatrat Qeparo-Fushë dhe Qeparo-Fshat”, do të realizohen nga FSHZH. Bashkia Himarë është bashkë-financuese në masën 10% të këtyre investimeve.

Punimet për ndërtimin e këtyre ujësjellësave parashikohet të fillojnë gjatë vitit 2018.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit zhvilloi këto ditë konsultime publike me komunitetin e këtyre fshatrave për fizibilitetin e investimeve, për rikonstruksionin e dy ujësjellësve, që do të furnizojnë banorët jo vetëm me 24 orë me ujë, por edhe higjenikisht të pastër.

Takimi u zhvillua në mjediset e Bashkisë së Himarës, ku përfaqësues të FSHZH, Bashkisë Himarë dhe kompanisë projektuese, informuan të pranishmit nga fshatrat përfitues të projekteve lidhur me investimin.

Banorët e këtyre fshatrave do të përfitojnë drejtpërdrejtë nga ky investim që parashikon furnizimin me ujë me rënie të lirë nga burimet e Kuçit. Linjat e furnizimit dhe rrjeti i shpërndarjes do të ndërtohen rishtas, ndërsa parashikohet rikonstruksioni i rezervuarëve dhe komponentëve të tjerë të infrastrukturës.

Kërkesa për ujë sipas studimeve arrin në 120L për frymë dhe nëpërmjet këtij investimi synohet që të sigurohet qëndrueshmëri në furnizimin me ujë, kjo sipas standardeve më të mira.

Konsumatorët do të pajisen me matësa uji, ndërsa funksionimi dhe mirëmbajtja e ujësjellësve do të bëhet nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve pranë Bashkisë së Himarës./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.