Përjashtohen nga TVSH profesionet e lira

TIRANË, 20 prill /ATSH/- Një vendim i rëndësishëm është marrë sot nga qeveria lidhur me profesionet e lira.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, disa nga këto profesioni nuk do të paguajnë TVSH.

Në ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, sqarohet se personat si avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë do të kenë TVSH zero, pavarësisht xhiros së tyre vjetore.

Ndërsa për prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit dhe që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike si fermerë individualë, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh në një vit kalendarik.

Prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit të fermerëve, por që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike në kuadrin e një sipërmarrjeje bujqësore të organizuar si shoqëri e bashkëpunimit bujqësor (SHBB), janë të përjashtuar nga aplikimi i kufirit si më sipër, për regjimin e veçantë të skemës së kompensimit, me kushtin që kjo SHBB të kryejë vetëm veprimtari të shitjes së produkteve bujqësore të anëtarëve të saj te tatimpagues që nuk janë pjesë e skemës së kompensimit.

Në këtë rast, blerësi, person i tatueshëm, lëshon faturë tatimore vetëm për shitësin, shoqëri e bashkëpunimit bujqësor, ndërsa kjo e fundit nuk lëshon faturë tatimore, sipas parimeve të kësaj skeme për fermerët anëtarë të SHBB-së. Nëse shoqëria e bashkëpunimit bujqësor, krahas shitjeve në kuadrin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të fermerëve, kryen edhe veprimtari të tjera, regjistrohet në skemën normale të aplikimit të TVSH-së.”.

Ndërkohë, në vendimin e qeverisë përfshihet edhe një shtesë mbi afatin e paraqitjes së deklaratës dhe regjistrave përmbledhës për kategorinë e personave me qarkullim vjetor deri në 5 milionë lekë.

Ata duhet dorëzojnë deklaratën e TVSH-së mbi baza mujore, brenda datës 14 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik.

Së bashku me deklaratën, ata do të duhet të dorëzojnë gjithashtu edhe regjistrat përmbledhës, përkatësisht librin e blerjes dhe librin e shitjes, mbi baza mujore, brenda datës 10 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.