Pas rekomandimit, Shqipërisë i duhet të thellojë reformat

TIRANË, 20 prill /ATSH/ – Pas marrjes së rekomandimit nga KE për çeljen e negociatave,  Shqipërisë i duhet të mbajë ritmin e reformave të nisura, ndërsa i duhet të thellojë reformat në mënyrë që të ketë impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët.

Ndërsa qeveria ka nisur punën për të lobuar pro Shqipërisë me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, ministri për Europën dhe Punët e Jashme, Ditmir Bushati i ftuar në televizionin ERTV, ka bërë të ditur se ka një strategji për marrjen e përgjigjes pozitive në muajin qershor.

Ai e cilësoi rekomandimin si certifikim ndaj produktit shqiptar, pra të reformave.

“Komisioni Europian është armata teknike e Bashkimit Europian që ka certifikuar produktin shqiptar, sa i përket reformave që Shqipëria ka marrë veçanërisht gjatë 2 viteve të fundit, pra nga 2016 që ka qenë progres-raporti i fundit”.

“Ne do të punojmë me të gjitha vendet anëtare që të kurorëzojmë me sukses këtë rekomandim që është propozuar nga Komisioni Europian nga vendet anëtare të BE-së.

I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse vendi ynë nuk merr një përgjigje pozitive në qershor, ai tha se, kjo e fundit nuk do të ndodhë pasi vendin tonë e pret transformimi ekonomik e demokratik.

“Shqipëria nuk ka një projekt alternativ ndaj procesit të integrimit europian në BE dhe në kushtet tona, ka të bëjë më një proces transformimi, zhvillimi ekonomik, demokratik e shoqëror”, u shpreh Bushati.

Ai ra dakord me kreun e PD-së, Lulzim Basha se çelja e negociatave një orë e më parë do ta fusë vendin në një proces transformimi dhe zhvillimi, ndërsa do të rrisë edhe presionin e BE-së për zbatimin e reformave në vazhdimësi. /z.tosku//m.m/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.