Durrës, aktivitet me rastin e festës së Ishmit

TIRANË, 20 prill /ATSH/ – Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në aktivitetet e zhvilluara me rastin e festës së Ishmit. Kjo festë përmblidhte tri ngjarje të rëndësishme në historinë e Ishmit por edhe të gjithë Durrësit siç është 100 vjetori i lindjes së piktorit të shquar Ibrahim Kodra “Nderi i Kombit”, 105 vjetori i çeljes së shkollës së parë shqipe të qarkut Durrës dhe 75 vjetori i krijimit të çetës partizane të zonës.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë edhe prefekti i Durrësit Roland Nasto, deputeti i zonës Fidel Ylli, drejtoresha e DAR Lindita Muka, përfaqësues të shoqatës së veterenavë, piktorë e skulptorë të njohur si dhe qindra banorë të njësisë administrative të Ishmit.

Fillimisht kryebashkiaku Dako dhe të ftuarit e tjerë kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule në varrin e pikorit të madh Ibrahim Kodra, figura më e rëndësishme e pikturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Më pas me rastin e 75 vjetorit të krijimit të çetës partizane të Ishmit janë zhvilluar homazhe edhe në lapidarin ku përkujtohen dëshmorët e kësaj zone që ranë për çlirimin e vendit.

Aktivitetet kanë vijuar në shkollën e mesme të bashkuar “Rexhep Mezini” ku është çelur shkolla e parë shqipe për gjithë qarkun e Durrësit.

Në fjalën e tij kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se nderimi ynë në këtë ditë përshkon një shekull lartësimi arsimor e kulturor dhe qëndrese shqiptare.

“Nderojmë tri ngjarje të pandashme të historisë sonë: 105 vjetorin e shkollës së parë shqipe të Durrësit që ndodhet pikërisht në Ishëm, figurën më të rëndësishme të pikturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të XX, nderin e kombit Ibrahim Kodra në 100 vjetorin e lindjes dhe 75 vjetorin e çetës së parë partizane të Ishmit. Këto tri ngjarje që përkujtojmë sot, ndërlidhin gjithçka ka pasur më të vyer Durrësi, Ishmi dhe gjithë këto anë me tradita të rralla”, tha Dako.

Më pas kryebashkiaku Dako i ka dhënë titullin “Mirënjohje e Qytetit” shkollës së mesme të bashkuar “Rexhep Mezini” në Ishëm, me motivacionin: “Si një ndër vatrat më të shquara të arsimit në Durrës” që ka dalluar me përgatitjen, shkollimin dhe edukimin e brezave të tërë nxënësish me vlerat më të larta qytetare dhe patriotike.

Po kështu kryebashkiaku dhe të ftuarit e tjerë kanë vizituar edhe një ekspozitë fotografike e përgatitur enkas për festën e Ishmit nga studentët e pikturës së universitetit të arteve nën drejtimin e piktorit të mirënjohur shqiptar Gazmend Leka. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.