Ahmetaj: Raporti i Progresit të KE-së, jehonë zhvillimeve pozitive ekonomike

TIRANE, 20 Prill/ATSH/- Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi sot se Raport Progresi i paraqitur nga Komisioni Europian thotë se qeveria shqiptare ka bërë një kombinim të duhur të politikave makroekonomike dhe se në themel të politikave makroenomike ka qëndruar modeli i ri ekonomik.

“Ekonomia shqiptare ka vazhduar rritjen falë kërkesës së brendshme dhe tregtisë së jashtme. Raporti i Progresit të Komisionit Europian i bën jehonë zhvillimeve pozitive ekonomike të vendit dhe sigurisht që, ashtu siç lë detyra, thekson dhe rrugën e gjatë e të vështirë që kemi përshkruar, që nga mundësia e skenarit grek në vitin 2013, edhe sot që jemi vendi me rritjen më të lartë në rajon”, deklaroi ministri Ahmetaj gjatë një konference për shtyp.

Sipas tij, përtej debatit politik, emocionit politik, dijes dhe padijes, qëllimit dhe mungesës së qëllimit, këto janë shifra dhe fakte të konfirmuara e të skanuara nga Komisioni Europian dhe nga Banka Botërore.

Ministri u ndal edhe te rekomandimet që jepen për qeverinë shqiptare.

“Rekomandohet vazhdimi i konsolidimit fiskal, reduktimi i mëtejshëm i kredive me probleme, si dhe formalizimi i mëtejshëm i ekonomisë”, tha ai.

Për sa i takon konsumit, kreu i financave publike theksoi se në raport evidentohet se të gjithë komponentët e kërkesës së brendshme kontribuuan pozitivisht në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Ekonomia u rrit falë kërkesës së brendshme dhe tregtisë së jashtme.Konsumi privat rikuperoi në dy vitet e fundit”, shtoi ministri.

Lidhur me eksportet sipas Ahmetaj në raport theksohet se eksportet neto ndihmuan në rritjen, veçanërisht eksporti i shërbimeve, përfshirë turizmin, dhe eksporti i mallrave.

Ndërsa investimet e huaja direkte, sipas raportit të Komisionit, janë më të mëdha se deficiti i llogarisë korente.

Raporti analizon edhe sektorin financiar, ku evidentohet se stabiliteti i sektorit financiar u përmirësua, ndërsa niveli i kredive me probleme u reduktua në 13.2 % në fund të vitit 2017.

Po ashtu thuhet se ka hapësirë për bankat që të zgjerojnë kreditimin dhe të mbështesin më mirë rritjen ekonomike.

Në përgjigje të akuzave të ngritura një ditë më parë nga kreu i opozits, Lulzim Basha në Parlament i cili theksonte se marrëdhëniet ekonomike të Shqipërisë janë zvogëluar me Perëndimin dhe të fokusuara nga Lindja, Ahmetaj tha se është vet Progres Raporti i Komisionit Europian që thotë se BE është partneri tregtar më i madh i Shqipërisë. Sipas tij, rritja e volumit të tregtisë ka shkuar nga 72.1% në 2015, në 74.8% në 2016.

Në analizën që kryen Komisioni Europian për borxhin publik thuhet se ai është në trajektore rënëse.

“Politika fiskale e kujdesshme dhe pse një vit elektoral, reduktoi deficitin buxhetor dhe bëri borxhin publik më të qëndrueshëm,”, citoi ministri progres raportin e BE-së.

“Progres Raporti i Komisionit Europian thotë se për herë të parë punësimi në sektorin jo bujqësor kaloi atë bujqësor dhe thotë rritja ekonomike ka krijuar vende pune, rritja ekonomike ka krijuar punësim”, shtoi ministri Ahmetaj./a.gjonaj./ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.