80 fermerë të Mitrovicës përfitojnë sera

TIRANE, 20 Prill /ATSH/ -Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe drejtori i drejtorisë për Bujqësi, Ekrem Sadiku, kanë nënshkruar sot kontrata me 80 fermerë përfitues të serave.

Nga gjithsej 80 sera, dhjetë janë të mëdha, me mbi 200 metra katrorë, kurse të tjerat janë sera familjare, për të cilat komuna ka siguruar subvencione në vlerë prej 40 mijë  euro.

Kryetari komunës Bahtiri u shpreh i lumtur që komuna është në gjendje të ndihmojë sektorin e bujqësisë, përkatësisht fermerët e komunës përmes projekteve të ndryshme.

“Kam thënë se ndër projektet kryesore të komunës gjatë mandatit tim, do të jetë edhe investimi në bujqësi dhe mbështetja e fuqishme për fermerë. Fakti se sot po i nënshkruajmë kontratat me 80 fermerë të komunës, tregon për përkushtimin tim që të mbështesë sektorin e bujqësisë dhe në veçanti fermerët. Ne nuk do të ndalemi vetëm me kaq, por do të vazhdojmë edhe me realizimin e projekteve tjera, duke siguruar subvencione nga buxheti i komunës, apo edhe nga donatorë të ndryshëm”, tha Bahtiri.

Ai njoftoi fermerët e pranishëm në sallë se komuna do të mbështesë të gjithë fermerët që paraqesin projekte interesante, duke ju siguruar kredi bankare në vlerë deri në 10 mijë euro, me afat kthimi prej tre vjetësh.

“Obligimet bankare për kredinë që fermeri do të marrë, përkatësisht kamatën, do e paguajë komuna. Besoj se kjo është një mundësi e mirë për ata fermerë që dëshirojnë të zgjerojnë veprimtarinë e tyre. Sigurisht se ne do të hulumtojmë edhe mënyra tjera të mbështetjes së fermerëve në realizimin e projekteve të tyre”, tha ai.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Ekrem Sadiku, njoftoi fermerët përfitues të serave, se konkurenca ka qenë mjaft e madhe, pasi 80 sera janë paraqitur mbi 180 kandidatë, nga të cilët komisioni ka përzgjedhur ata që i kanë plotësuar kushtet më së miri. /KosovaPress/ /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.