SHBA – Mnuchin: Qeveria Maduro kërcënon stabilitetin rajonal

UASHINGTON, 19 prill /ATSH-AFP/ – Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin dënoi sërish sot qeverinë venezueliane të Nicolas Maduro, politikat e të cilit po kërcënojnë stabilitetin rajonal, por pohoi se komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të ndihmojë këtë shtet në rast ndryshimi të regjimit.

Sekretari amerikan i Financave e bëri këtë deklaratë pas një takimi me homologët e vendeve më të industrializuara dhe të Amerikës Latine në vazhdën e takimeve të pranverës të Bankës dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Uashington.

Pjesëmarrësit e këtij takimi ndanin të njëjtin mendim se rënia e ekonomisë, e shkaktuar nga regjimi Maduro, çoi në një krizë humanitare që po shoqërohet me një eksod masiv të shtetasve të Venezuelës.

Sipas tij, individë të korruptuar vjedhin programin e importit të produkteve ushqimore në vend, ndërkohë Karakasi refuzon asistencën humanitare ndërkombëtare./
/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.