Rekomandimi për negociatat, replika në Kuvend

TIRANË, 19 prill /ATSH – I. Vata/ – “Aspirata më e madhe e shqiptarëve ka qenë Europa dhe PD ka kërkuar me forcë kudo në Europë hapjen e negociatave me BE ”, tha kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në fjalën e tij në Kuvend.

Basha tha se “kjo aspiratë e shqiptarëve gjen një tjetër mundësi, Rekomandimi që bëri Komisioni Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë, por mbi të gjitha ky rekomandim tregon diçka tjetër të rëndësishme që jo vetëm ne aspirojmë në Europë, por dhe Europa është e vendosur të na bëjë pjesë të saj”, tha ai.

Sipas Bashës në këto kushte me këtë qeveri dhe këtë kryeministër, rruga europiane është më e domosdoshme se kurrë për shqiptarët, sepse rruga europiane është i vetmi instrument për të ngritur institucione të besueshme.

“Integrimi në BE është e vetmja mënyrë për të ndërtuar një demokraci të vërtetë dhe një shtet të së drejtës. Rruga europiane është e vetmja rrugë për të ndarë politikën nga krimi dhe për të çliruar Shqipërinë nga droga. Për këtë, PD ka kërkuar me forcë kudo në Europë hapjen e negociatave me BE, sepse Bashkimi Europian është shpëtim nga katastrofa ekonomiko-sociale”, tha Basha.

Gjithashtu, Basha tha se “sot nuk është moment për festë, por për reflektim të gjithë shqiptarëve për gjendjen ku jemi dhe hapat që do marrim për çeljen e negociatave. Mbi të gjitha sot politikanët shqiptarë duhet të reflektojnë mirë që ky rekomandim të mos mbetet një copë letër si para dy vitesh”.

“E para që duhet të bëjmë sot është të shpëtojmë vendin nga rrëshqitja në autokraci, pasi Edi Rama kontrollon sot të gjitha pushtetet në vend, sikurse kontrollon mediat dhe ekonominë”, tha Basha.

Kryemadhi: Nuk ka dilema për përkatësinë tonë europiane

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tha se hapja e negociatave është një lajm i madh për shqiptaret.

“Nuk kam asnjë dyshim që si 25 vite më parë shqiptarët duan të jenë pjesë e Bashkimit Europian dhe s’ka më dilema për përkatësinë tonë europiane, por ajo që s’kemi të qartë është integrimi real në Bashkimin Europian dhe jo një show me fotografi për të bindur shqiptarët se jemi pjesë e Europës”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi përshëndeti krerët europianë për rekomandimin që i dhanë shqiptarëve për hapjen e negociatave. “Dje Shqipërisë iu dha rekomandimi për çeljen e negociatave, një rikonfirmim i nëntorit të vitit 2016 dhe që përfshin një numër të madh sfidash”, tha Kryemadhi.

“Sado që të përpiqet mazhoranca të thotë se kemi rezultate konkrete, shumë pak është bërë në kapjen e kokave të krimit, ndërsa mbahen në burg protestuesit kuksianë. Sot shqiptarët e kanë të vështirë të kuptojnë se ç’është rekomandim, apo progres-raporti, por shqiptarët e dinë se janë më të varfër se më parë dhe se biznesi i vogël po falimenton”, tha Kryemadhi.

Në fund Kryemadhi tha se do të doja ta përmbyllja shumë shkurt raportin prej 37 faqesh. “Po ta lexosh me vëmendje, i ka vendosur shtatë kushte, i ka paketuar në një fjali, të largohet Edi Rama dhe shqiptarët të hapin negociatat në tetor të 2018”, theksoi Kryemadhi.

Balla: Të bëhemi bashkë në rrugën e Europës

“Është dita për të shtrirë dorën e bashkëpunimit dhe të bëhemi bashkë në rrugën e Europës dhe të përmbushjes së kritereve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian”.

Kështu deklaroi të enjten në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke iu referuar angazhimit që duhet të kenë të gjitha forcat politike në vend, pas marrjes së rekomandimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Marrja e rekomandimit nga Komisioni Europian, sipas Ballës, është vlerësim për progresin e vazhdueshëm që ka bërë vendi me përmbushjen e përparësive kyçe në fushën e integrimit.

“Bashkimi Europian ka njohur dhe ka besuar reformat tona. Reforma në drejtësi është ajo që e vendosi Shqipërinë në rrugën e Europës. Rekomandimi është edhe për arritjet tona në fushën ekonomike dhe progresin e bërë për zbatimin e të drejtave të njeriut. Marrja e këtij rekomandimi tregon që Shqipëria mund të jetë ashtu si të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së”, tha Balla.

Pavarësisht bindjeve politike, vijoi Balla, është detyra jonë që me këmbëngulje të tejkalojmë ndasitë tona politike dhe të ecim bashkë drejt BE-së.

“Me dëshirën për t’i lënë polemikat politike në një anë, le të vazhdojmë këtë rrugë për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane. Nëse dikush duhet të marrë merita, ata janë vetëm qytetarët shqiptarë, që janë qytetarët më europianë edhe se vetë ata të vendeve anëtare”, tha Balla.

Shqipëria, sipas tij, nuk është ende pjesë e BE-së dhe standardi ynë i jetës është ende shumë larg atij që duam, por rekomandimi pozitiv na tregon se cila është rruga e duhur për të arritur atje ku duhet, që është europianizimi dhe modernizimi i vendit.

Sipas Ballës, tani Shqipëria nuk konsiderohet më si një kandidat i mundshëm, por konsiderohet si një partner me të cilin vendet më të civilizuara të Perëndimit mund të ulen në tryezë për të biseduar. /m.marini/ /a.g/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.