Hapja e negociatave, Rama: Sukses i të gjithëve, mund të ishin hapur më herët

– Kryeministri në “Real Story” –

TIRANË, 17 prill /ATSH-Arbi Fortuzi/ – Komisioni Europian kërkoi hapjen pa asnjë kusht të negociatave me Shqipërinë dhe kjo është një ngjarje historike për vendin tonë, tha Kryeministri Edi Rama, duke bërë një paralelizëm me kërkesën për hapjen e negociatave në vitin 2016. Sipas Ramës, ky është një sukses i të gjithëve, kush më shumë e kush më pak.

Rekomandimi i 2016 ishte një rekomandim inkurajues, por kishte dhe një kusht, pra që duhej çuar përpara procesi i Vetting-ut dhe vijueshmëria e saj. Ndërsa rekomandimi i datës 17 prill është historik, pasi është i pastër, i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Ky rekomandim është prova bindëse se janë kryer të gjitha diskutimet për këtë fazë. Tani çelet një fazë e re që është edhe më e vështirë, por që për Shqipërinë është një fazë që do të përballohet nga politika shqiptare.

Në atë kohë, 20 vite më parë, kur unë u futa në politikën aktive, në prill të vitit 1998 dhe në atë kohë as që e imagjinova që do të isha unë në krye të qeverisë në kohën që do të kërkohej hapja e negociatave, Shqipëria mund të kishte përparuar shumë më tepër sesa të tjerët. Mos harrojmë që Serbia që sot negocion, kaloi një periudhë izolimi të plotë ndërkombëtar, teksa ne kishim hyrë në proces. Por, gjithsesi është një moment që vjen si një rezultat i një zinxhiri kontributesh, kush më shumë e kush më pak.

Së pari, s’jam dakord që peshorja në këtë proces nga pikëpamja e kontributit anon djathtas. Videoja nuk kishte as majtas, as djathtas, por aty janë figura që i përkasin të gjithëve, nuk mendoj se asnjë nga ato figura atje duhet më shumë nga njëra, apo tjetra palë, janë figura të Shqipërisë. Ky është një proces, ku çdo qeveri ka bilancin e vet, si dhe çdo qeveri mund të vihet nën analizë për të kuptuar se sa i dha procesit dhe sa e ndihmoi procesin. Edhe marrëveshja e stabilizim-asociimit ishte gati dhe u nënshkrua nga qeveria e mëpasme, por ishte një produkt i një procesi të kryer më herët. Statusi i kandidatit ishte për t’u marrë më parë, por u mor më vonë, në qershorin e vitit 2014, pasi ne vepruam me shpejtësi dhe bindje. Por nëse nuk do të ishte vepruar, mund të ishte marrë më vonë. Nuk ishte çështje vetëm e tre ligjeve, pasi në dhjetor të vitit zgjedhor 2013 nuk na u dha statusi i vendit kandidat, edhe pse ligjet ishin votuar, por propaganda ndikoi në këtë formë.

Presidenti Macron foli përpara dhe rilancoi idenë e tij të përpunuar qysh në fushatë për një reformim të BE, që është një domosdoshmëri, pasi dhe BE e ka të pamundur të përballet me sfidat e mëdha të kohës. BE është peng i dinamikave të brendshme të çdo vendi pjesë të saj. Macron është europianist i zjarrtë dhe fitoi ndaj një vale të rrezikshme antieuropianiste në Francë. Kam besim se Franca do të jetë në krahun tonë. Po t’i besosh, z. Basha 7X7 bëjnë 42, por dua të them se Gjermania dhe Franca janë bazë e europianizmit dhe nuk duhet të harrojmë që ajo çka përfaqëson Franca dhe Gjermania për Europën është shumë më e madhe se sa interesi i brendshëm i disa politikanëve në këto vende që përdorin vende si Shqipëria për interesa të tyre politike të ditës. Ne do bëjmë tonën. Shqiptarët duhet ta dinë se ne kemi marrë një ftesë që flet vetë.”

Rama: Po-ja e Këshillit Europian është “po” deri në momentin e fundit

“Po-ja e Këshillit është ‘po’ deri në momentin e fundit.”

Kështu u shpreh kryeminsitri Edi Rama, duke theksuar se qeveria i ka realizuar detyrat për këtë fazë. Për kreun e qeverisë historia e integrimit ka hyrë në një fazë të re dhe sipas tij ky do të jetë viti i negociatave.

Por kjo s’ka lidhje me ne, çfarë kishim ne si detyrë, e kemi bërë, në raport me komisionin europian. Kjo dëftesë që ne morëm është mjaft e fortë dhe për këtë fazë ne i bëmë detyrat. Ajo që është e rëndësishme është nuk është aspak për mua një histori jete a vdekje qershori. Historia e integrimit ka hyrë në një fazë të re dhe ky do të jetë viti i negociatave besoj unë.

Mund të garantoj vetëm një gjë me përgjegjësi të plotë. Nëse në vendet e BE-së sot, e në të gjitha vendet, nuk do të kishte siç ka një herë jo fort të favorshme për politikën e zgjerimit, unë sot do thosha se kjo histori është e mbyllur, pasi qoftë kancelarja, qoftë presidenti francez dhe historitë e tyre si dhe liderët e tjerët të BE-së nuk kanë asnjë problem me vendin tonë, por kanë dinamikat e tyre që duhen balancuar dhe argumentuar nga ana jonë për të balancuar rrugën tonë drejt BE. Greqia ka pasur një rol tejet pozitiv. Takimi me Greqinë nuk ka dështuar, por ishte një takim në tentativë që u shty, për shkak dhe të kohës që iu desh Presidentit, që bëri shumë mirë për këtë.

Komploti kombëtar nuk diskutohet, ai është publik, ai ka marrë pamje çadre, pamje situatash komplet në kundërshti për çfarë një vend duhet të bëjë për këtë proces. Komplot ndërkombëtar pastaj është shumë i madh. Unë besoj, se ka individë dhe forca që s’e duan këtë gjë. Por Greqia nuk hyn te këta.

Ne jemi në veprim gjatë gjithë kohës dhe jemi në kontakte gjatë gjithë kohës dhe këtu s’bëhet fjalë për të ndryshuar mendjen e shteteve, por jemi duke punuar për të kthyer individë të caktuar te “PO”-ja.”

Rama: Pakti i dytë me Bashën? Unë thashë që duhet të jemi kuqezi kur flasim në gjuhë të huaj

I pyetur për një pakt të dytë me kryetarin e opozitës Lulzim Basha, Kryeministri theksoi se nuk flet për kundërshtarët, diçka të cilën nuk e ka bërë edhe kur ishte në opozitë, duke i kërkuar kësaj të fundit që të mos baltosë vendin te të huajt.

“Pakti i dytë me Bashën? Unë thashë që duhet të jemi kuqezi kur flasim në gjuhë të huaj. Lulëzimi u përgjigj se ‘fanella ime është jeshile’. Po mirë, dakord, pse e jotja nuk është kuqezi, pse ti s’bën pjesën tënde kuqezi, që do të thotë se në fund të ditës, unë s’flas për kundërshtarët, këtë s’e kam bërë as kur isha në opozitë. Këta bashkëpunëtorët thoshin ‘bjeri pak fort atij Saliut’. Por unë iu përgjigja se këta që vijnë, nuk gdhihen e ngrysen me problemet tona dhe s’e dinë se çfarë hallesh kemi. Është njëlloj sikur të vij në një fshat dhe të më thotë ai i PS, ‘më bëj copë atë të PD’, dhe unë do i thosha merreni e zgjidheni këtë çështje se s’kemi kohë të merremi. Kjo është më e keqja që mund t’i ndodhë vendit, nuk mund të eksportohet “balta” e vendit në gjuhë të huaj.

Opozitës në shqip nuk i kërkoj asgjë, se bëhet e rrezikshme për mua. Unë opozitës i kërkoj që te të huajt, në anglisht, të mos baltosë vendin, se është e sëkëlldisshme. Se thonë, çfarë kanë këta që s’e duan vendin e tyre sa e duam ne. Ta thonë të huajt këtë, që kanë frikë të shkojnë te dera e PD, se duket sikur të merr mafia.”

Rama: Një mazhorancë që çmendet, nuk kërkon ndjesë

Duke folur për protestën e zhvilluar në qytetin e Kukësit, Rama u shpreh besnik ndaj shqiptarëve duke u thënë të vërtetën në sy dhe jo duke i tradhëtuar për interesa dritëshkurtra politike.

“Nëse kthehemi pas, kemi më shumë se një ngjarje të gjakshme, me pasojë vrasjen, vdekjen e dhjetëra njerëzve dhe s’kemi dëgjuar ndjesë, por kemi parë çmenduri. Unë e kam shpjeguar rastin dhe besoj që për rastin konkret nuk kemi çfarë diskutojmë më. Sa i takon arrogancës, ka gjithnjë vend për reflektim dhe për të korrigjuar veten dhe Lejleku, Maçoku me Çizme, Pinoku dhe pinokët e vegjël të portaleve, arrogancën e ngatërrojnë shumë me të qenit drejtpërdrejt dhe të vendosur e këmbëngulës deri në fund. Mua shpesh ma bëjnë këtë akuzë. Jam pasionant dhe i vendosur e kjo ndoshta lexohet si arrogancë, që është diçka tjetër.

Brenda 60-ditëve do të themi ekzaktësisht se cili është reflektimi ynë. S’mund të them asnjë fjalë më shumë, pasi është një punë intensive, kalkulimesh dhe duhet thënë se në fund të ditës d rruga duhet të shpëtojë nga rrënimi e duhet mbajtur brenda standardeve europiane. Ky s’është rasti se për politikë mund të mbyllësh sytë e po e kaloj, ndërkohë që rruga për sa kohë do jem unë s’do shembet, por s’jam nga ky kryeministër, nuk i mbyll sytë. Unë i përkas asaj race liderësh që nuk gënjejnë popullin tyre dhe nuk tradhtoj popullin duke mos gënjyer se çfarë do ndodhë nesër. Shembull i kësaj është ‘Zogu i Zi’, ku unë tentova ta rregulloj, sot ka bllokim, sepse e hodhën në erë dhe bënë këtë që kemi sot.”

Rama: E rëndësishme që PS të marrë angazhimin e duhur edhe në nivel bashkiak në Kukës

“Se kush do të kandidojë për kryetar bashkie në 61 bashkitë në të gjithë vendin, do ta vendosin strukturat e PS.”

Kështu u shpreh kryeministri Rama pyetjes për një kandidim të mundshëm të kryetarit aktual të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Kryeministri shkoi edhe më tej, duke theksuar se interesi i tij dhe i PS është ambicia për të marrë në drejtim edhe bashkinë e Kukësit.

“Këtë e vendosin strukturat e partisë, jo unë. Kazani mediatik do të më interpretojë sipas temperaturës së gjellës që duhet shitur të nesërmen. Për mua është e rëndësishme që PS të marrë angazhimin e duhur edhe në nivel bashkiak në Kukës.”

Rama: Zhvillimi ekonomik do të jetë mbi 5% në fund të mandatit

I pyetur për zhvillimin ekonomik të vendit, kreu i qeverisë u shpreh se ekonomia shqiptare është në përmirësim të vazhdueshëm.

“Zhvillimi ekonomik? Ekonomia në Shqipëri është në përmirësim të vazhdueshëm dhe është ende larg së qeni një ekonomi që reflekton të gjithë frytet e reformave. Nga krahu tjetër, nëse shikoni raportet për ekonominë, janë shumë më lart vlerësimet sot, se me ato që kanë qenë. Sot ne jemi në një situatë që vetëm përmes zyrave të punës, sipas zyrës së punës brenda prillit tani, kemi mbi 1400 persona të punësuar. Patjetër që njerëzit kanë të drejtë kur thonë që ok, dakord, por shumica dërrmuese e vendeve të punës kanë një rrogë shumë të vogël. Po diskutonim dje me Kryeministrin e Maqedonisë për çështjen e pagave, që janë të ulëta dhe që duhet të rriten.

42% e vendeve të punës në kompanitë e mëdha raportohen si 300 mijë lekë të vjetra, ndërsa janë shumë më shumë të larta, pra ka ekonomi në të zezë. Duhet formalizuar dhe kjo pjesë. Nuk jemi në atë ekonomi në krizë siç shitet, por jemi një vend me potencialitet. Ne do e realizojmë, do shkojmë mbi 5% në fund të këtij mandati. Tani hapim kantiere realisht të mëdha. Hapet kantieri i ‘Rrugës së Arbrit’, Aeroporti i Vlorës, të tjera rrugë nacionale.”

“Bizneset e huaja? Ky rekomandim, çelja e negociatave na japim një fuqi shumë më të madhe në këtë aspekt, pasi shihemi si vend shumë i sigurt për investime. Pas hapjes së negociatave rritet potenciali tërheqës. Kështu ka ndodhur dhe me Serbinë dhe Malin e Zi.”

Rama: 5-prioritetet? Këto janë dhe për vendet që janë anëtare

Duke u ndalur te 5 prioritet të cilat duhet të përmbushen, Rama u shpreh se “ky është një proces, i cili vijon edhe sot në vendet që janë anëtare të BE-së”.

5-prioritete? Këto janë dhe për vendet që janë anëtare. Është një luftë që e zhvillojnë të gjitha vendet. Është një luftë reale lufta ndaj korrupsionit dhe fenomeneve të tjera. Edhe vende si Rumania, Kroacia dhe Bullgaria janë duke bërë këto luftëra edhe sot që janë në BE. Janë luftëra të modernizimit. /r.e//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.