FUTBOLL – Ibrahimoviç rikthehet për Botërorin 2018

LOS ANXHELES, 19 prill /ATSH-AA/ – Futbollisti i ekipit amerikan ”Los Angeles Galaxy”, Zlatan Ibrahimoviç deklaroi se do të merrte pjesë në Kampionatin Botëror të Futbollit, Rusi 2018 me kombëtaren suedeze.

Futbollisti 36-vjeçar, i cili mori pjesë në programin Jimmy Kimmel Live, të transmetuar në SHBA, dha sinjale për kthimin e tij në kombëtaren suedeze.

Duke u shprehur se dëshiron që të marrë pjesë në ekipin e kombëtares së Suedisë e cila do të luajë në Kampionatin Botëror, Ibrahimoviç tha se “do të marr pjesë në Kampionatin Botëror. Do të marr pjesë në kampionat. Nëse flas më shumë për këtë çështje njerëzit mund të më paragjykojnë. Një kampionat botëror ku unë nuk jam i pranishëm nuk llogaritet si i tillë”.

Ibrahimoviç, i cili e ndërpreu kontratën me ”Manchester Unitet” pas një dëmtimi të gjatë, arriti marrëveshje me ekipin ”Los Angeles Galaxy” dhe në tri ndeshje ka shënuar tre gola.

Pas Kampionatit Evropian të Futbollit në vitin 2016, ai njoftoi fundin e karrierës ndërkombëtare./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.