Veseli: BE vlerësoi Kosovën për plotësimin e kritereve për vizat

PRISHTINË, 18 prill/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, theksoi sot se “Bashkimi Europian i vlerësoi më në fund arritjet e Kosovës sa i përket përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave”.

“Në këtë fazë, nuk ka asgjë më të rëndësishme në axhendën europiane për Kosovën sesa udhëtimi i qytetarëve tanë në Zonën Shengen, i cili do të krijojë mundësi më të mëdha për transformimin e politikës, të shoqërisë dhe ekonomisë”, shkruan Veseli në një postim në Facebook.

Kryeparlamentari Veseli shprehet se “dekada e re ka kuptim vetëm pa viza në Europë dhe zbatimi i MSA-së dhe ERA-së do të hyjnë në një dinamikë të re kur nuk do të ketë barriera të pakuptimta të lëvizjes së lirë”.

“Institucionet e Kosovës do t’i adresojnë edhe sfidat dhe kritikat që janë identifikuar në raportin e BE-së pasi vetëm kështu forcojmë dhe ndërtojmë të ardhmen evropiane për qytetarët tanë”, tha Veseli./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.