SHKUP – Maqedonia mikpritëse e Samitit të Parë Dixhital të Ballkanit Perëndimor

SHKUP, 18 prill /ATSH-MIA/ – Maqedonia do të jetë sot dhe nesër organizatore e Samitit të Parë Dixhital të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i pari nga seria e ngjarjeve të këtij lloji që do të organizohen në nivel vjetor.

Samiti është pjesë e Procesit të Berlinit dhe paraqet mundësi për përafrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj BE-së, por do të prezantohen edhe mënyrat konkrete se si të fitohen shërbime më të mira dixhitale, se si firmat TI të lidhen më mirë dhe se si të rinjtë të fitojnë aftësi dixhitale cilësore.

Është paralajmëruar pjesëmarrja e kryeministrave, përfaqësuesve të qeverive, biznesmenëve, organizatave rajonale dhe të bashkësisë akademike, që do të shkëmbejnë ide dhe propozime për veprime të përbashkëta.

Do të bisedohet për uljen e çmimeve të roamingut, sigurinë kibernetike, rritjen e aftësive dixhitale të qytetarëve dhe lidhjen reciproke dixhitale të vendeve të rajonit. Pritet paraqitja e një iniciative të përbashkët për njohjen reciproke të certifikatave dixhitale.

Paralelisht me samitin dyditor do të mbahet edhe panairi ”Ekspo” i firmave TI ku kompanitë në sferën dixhitale do të prezantojnë punën e tyre.

Jashtë organizimit të samitit është paralajmëruar se do të zhvillohet edhe një mbrëmje ku do të marrë pjesë përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor të cilët janë pjesëmarrës në samit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.