MAQEDONI – Mogherini: Rekomandimi erdhi si rezultat i punës së të gjithë maqedonasve

SHKUP, 18 prill /ATSH-MIA/ – Komisioni Europian rekomandon fillimin e negociatave për anëtarësim. Jeni në rrugë të mbarë. Mund të festoni dhe pastaj t’i ktheheni punës, deklaroi përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE, Federika Mogerini në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Zoran Zaev.

“Ky rezultat është i përbashkët i qeverisë dhe opozitës dhe ata së bashku duhet t’i vazhdojnë edhe hapat e ardhshëm dhe ta ndërmarrin përgjegjësinë për këtë. (…) niveli i ardhshëm është zbatimi i reformave dhe të detyrimeve që kenë ndërmarrë, si dhe besimi i njerëzve në institucione”, tha Mogerini.

Procesin e reformave ajo e krahasoi me video-lojërat.

“Çdoherë që vjen një nivel ju paraprin një i ri, megjithatë merrni pikë ekstra për punë të përfunduar me sukses në fund të ditës. Puna e duhur është në të vërtetë përmirësimi i jetës së qytetarëve që të arrihet standarti europian, të ngritet ekonomia, qeverisja e mirë e institucioneve. Gjithë këto janë përfitime të cilat sjellin pjesëmarrjen dhe anëtarësimin në BE. Niveli i ardhshëm i video-lojës është së pari zbatim i reformave. Rekomandimi sjell dy fjalë kyçe, ato janë mbajtja dhe thellimi i reformave”, theksoi Mogerini.

“Rezultate deri më tani i keni realizuar me afat mjaftë të shkurtër dhe jam e bindur se me këtë energji do të vazhdoni edhe më tej t’i plotësoni edhe detyrat të cilat qëndrojnë para jush”, shtoi ajo.

Mogerini përshëndeti edhe përmirësimin e bashkëpunimit me fqinjët.

“Keni bërë hapa mbres lënëse në drejtim të dinamikës rajonale dhe të çështjeve dypalëshe me fqinjët tanë. Kjo pjesë e Ballkanit, Ballkanit Perëndimor, është pjesë e plotë e kontinentit europian dhe nuk është çështje për zgjerim, ndërsa bëhet fjalë për bashkimin e tërë Europës dhe për përshpejtimin e procesit europian dhe kjo do të thotë sjellje e paqes dhe pajtim në tokën europiane”, theksoi përfaqësuesja e lartë e BE-së

“Përfunduat një punë të shkëlqyer në dialog dhe me negociatat me Greqinë. Ne e mbështesim dhe e inkurajojmë këtë proces në të gjitha mënyrat e mundshme dhe shpresoj se zgjidhja e cila do të jetë e pranueshme për të gjithë mund të jetë e lehtë dhe shpejtë e arritshme. Shpresoj se të gjithë shikojmë ngjarje pozitive nën udhëheqje dhe nën mbështetjen e OKB-së. Unë në të vërtetë besoj se edhe kjo do të kërkojë një shkallë të caktuar të bashkimit kombëtar dhe jam e sigurt se ju do të mund ta garantoni, opozita gjithashtu do të mund ta garantojë së bashku me institucionet”, tha Mogerini. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.